Site icon Telegrafi

Kosova dhe Turqia me marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me homologun turk, për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme e terrorizmit

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se sot ka pritur në takime të ndara Ministrin e Brendshëm të  Turqisë, Ali Yerlikaya dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler.

“Diskutuam për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që gëzojnë deri tash institucionet tona duke ritheksuar kështu përkushtimin për angazhim të mëtejmë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes për qytetarët tanë dhe vendin tonë. Duke qenë se u takuam përgjatë kohës që po mbahet panairi Saha Expo 2024, diskutuam edhe për mundësitë që ofron ky panair si dhe nevojat e ngritjes së kapaciteteve tona në fushën e sigurisë”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

Më tej Sveçla ka njoftuar se pas takimit me Ministrin e Brendshëm turk kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme e terrorizmit.

“Vetëm pak orë pas këtyre takimeve,Turqia u trondit nga sulmi terrorist në Kompaninë Aksionare të Industrive Ajrore Turke në Ankara, ku sipas të dhënave humbën jetën katër dhe u lënduan 14 persona”, ka shkruar ministri Sveçla.

Ai tha se “akte të tilla janë një tragjedi jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por për të gjithë ne që vazhdojmë të punojmë për paqe dhe siguri. Dënojmë ashpër këtë sulm terrorist dhe shprehim ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve”. /Telegrafi/

Exit mobile version