Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me homologun e tij të Bullgarisë, Kiril Vatev.
Sipas ministrisë, kjo marrëveshje është nënshkruar të enjten në takimin bilateral në mes të dy ministrave, ku me këtë rast Peci ka theksuar se kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i marrëdhënieve miqësore dhe angazhimit për ruajtjen e partneriteteve me vendet e Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij memorandumi synojmë që ta intensifikojmë bashkëpunimin në fushat me rëndësi si: ushqimi, blegtoria, kultivimi i bimëve, kultivimi i hardhisë dhe prodhimit të verës, zhvillimi rural, peshkimi dhe akuakultura, bimët mjekësore dhe bujqësia organike”, ka thënë Peci.
Ai ka shtuar se me qëllim të ngritjeve të kapaciteteve humane do të realizohen edhe hulumtime, trajnime, si dhe do të ndahen ekspertiza e eksperienca në teknologjinë bujqësore.
Në këtë takim të përbashkët, ministri dhe homologu i tij bullgar kanë diskutuar edhe për koordinimin e politikave zhvillimore në rrafshin ndërkombëtar, si dy vende mike.
“Krahas këtij diskutimi, Ministri Peci e ka njoftuar homologun e tij bullgar edhe me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në Kosovë, si dhe për politikat zhvillimore të këtij viti. Po ashtu, ai ka theksuar se në fokus të këtyre politikave kanë edhe krijimin e bashkëpunimit me vendet e Evropës, me qëllim të avancimit të sektorit sipas standardeve evropiane”.
“Ndër tjerash, ai e ka falënderuar ministrin Kiril Vatev për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në shumë fusha, përfshirë këtu bujqësinë dhe zhvillimin rural”, thuhet mes tjerash në njoftimin për media. /Telegrafi/