Site icon Telegrafi

Kontrollohet cilësia e ujit në plazhet e Shqipërisë

Në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit mbi cilësinë e ujit të detit, Rrjeti i Informimit i BE-së ndërmori veprime për monitorimin e ujit të detit në Qarqet Durrës e Shkodër. 12 mostra në 6 pika u morën  nga “Gjiri i Durrësit” tek “Shkëmbi i Kavajës” për të kryer analizat fiziko-kimike dhe ato bakteriologjike të ujit të detit. Katër mostra u morën në plazhin e Velipojës në Shkodër në 4 pika të ndryshme.

Fushata e monitorimit synon të nxisë pjesëmarrjen civile në mbajtjen pastër të plazheve dhe përmirësimin e cilësisë së ujit të detit.

Procesi i monitorimit do të përsëritet në shtator dhe rezultatet e tij do të publikohen dhe do t’i vihen në dispozicion publikut dhe aktorëve vendorë në mënyrë që të adresojnë më mirë çështjet e cilësisë së ujit të detit në përputhje me strategjitë kombëtare dhe direktivat dhe standardet e BE-së.

Aksione të tilla do të ndërmerren në Kavajë, Vlorë, dhe Shëngjin. Rezultatet e monitorimeve do të shërbejnë politikave vendore dhe kombëtare si dhe masave të nevojshme që synojnë të ofrojnë mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët shqiptarë dhe turistët. /Telegrafi/

Exit mobile version