Site icon Telegrafi

Konjufca thotë se janë zvogëluar shanset për shpërndarje të Kuvendit

Foto: Arkiv

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar sot me aq sa ka informata, duke përfshirë edhe ato nga grupet opozitare do të ishte e pamundur që të shkohet në zgjedhje në vjeshtë.  

Konjufca theksoi se vullneti ka qenë qysh para disa muajsh edhe mazhoranca gjithmonë e ka shprehur gatishmërinë dhe se më këtë është pajtuar edhe subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, por megjithatë siç tha ai, disa partive u duhet më shumë kohë.

“Të gjithë në të njëjtën kohë e kemi kuptuar se kjo nuk duhet të jetë marrëveshje mes dy partive politike, por duhet të jetë një përfshirje më e gjerë dhe me sa e di unë oferta iu është bërë të gjitha subjekteve opozitare, dy prej tyre nuk janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje në këtë mënyrë, ato kanë propozuar një mënyrë tjetër.

…Unë qysh e kam lexuar këtë qëndrim dhe këtë pozicionim është se atyre ju duhet më shumë kohë dhe mendoj se nuk duhet paragjykuar ato subjekte që kërkojnë më shumë kohë për zgjedhje….

Por, nëse nuk arrihet konsensus i të gjitha subjekteve që të shkohet, që të jemi të sigurt që kemi dukshëm mbi numrin 80 dhe jo që të jemi në kufi sepse mund edhe të mos bëhet shpërndarja e Kuvendit, ju e dini se i kërkon 2/3 e votave dhe vetëm mazhoranca me PDK do të ishin në kufi të këtyre numrave… Kjo është arsyeja kryesor pse kemi kërkuar konsensus më të gjerë.. në kampin opozitar nuk ka pasur pajtueshmëri dhe mendoj që goxha shumë këto ditët e fundit janë zvogëluar shanset që Kuvendi të shpërndahet”, ka thënë Konjufca.

Ai tha se me aq sa ka informata edhe nga qëndrimet e grupeve opozitare do të ishte e pamundshme që të shkohet në zgjedhje në vjeshtë.

Kryekuvendari tha se kjo është periudha e fundit për pajtueshmëri rreth zgjedhjeve të parakohshme, pasi sipas tij afati i fundit do të ishte java e parë e qershorit që të krijohet konsensus mes partive politike.

Konjfuca tutje tha se pastaj për zgjedhje të jashtëzakonshme do të hynin në javën e parë të korrikut, por nëse kalojnë këta kufij kohor atëherë nuk do të ketë zgjedhje dhe mandati i Qeverisë Kurti do të shkojë deri në fund. /Telegrafi/

Exit mobile version