Site icon Telegrafi

Konfirmohet vizita e kreyparlamentarit Konjufca ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, shoqëria civile e kundërshton

Të gjithë të akuzuarit e Dhomave të Specializuara në Hagë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, kanë pranuar ta takojnë Glauk Konjufcën. Ai pritet t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në fund të muajit. Por, kjo vizitë po kundërshtohet nga shoqëria civile në Prishtinë.

Pak muaj pas vizitës së Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, në Hagë do të shkojë edhe një udhëheqës i lartë shtetëror.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka konfirmuar se në fund të këtij muaji do të vizitojë ish-udhëheqësit e UÇK- së, që po mbahen në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale.

Por, për dallim nga bashkëpartiakja e tij, ministrja e drejtësisë, Konjufcën kanë pranuar ta takojnë të gjithë të akuzuarit.

RTV Dukagjini ka mësuar nga burime të afërta me takimin se ish-liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli do ta presin në takim kryeparlamentarin Konjufca.

Lexo po ashtu Thaçi e të tjerët pranojnë që Konjufca t'i vizitojë në Hagë

Ilir Kërçeli, shef i Kabinetit të kryetarit të Kuvendit, shkurt ka konfirmuar vizitën e Konjufcës në Hagë, pa dhënë detaje.

“Kryeparlamentari do t’i vizitoj të gjithë. Arsye specifike nuk ka, ata janë qytetarë të vendit tonë”, ka thënë Kërçeli.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se vizitat e politikanëve dhe personave që kanë pushtet në Republikën e Kosovës mund të ketë karakter negativ në proceset gjyqësore të atyre që mbahen në Hagë

“Në aspektin se si e sheh prokuroria dhe gjykata speciale vizitat e politikanëve dhe personave që kanë pushtet në Republikën e Kosovës mund të ketë karakter negativ në proceset gjyqësore të atyre që mbahen në Hagë. Mjafton të shihen arsyetimet e Gjykatës qoftë në rastin e Thaçit qoftë në rastin e Veselit, kërkohet vazhdimi i paraburgimit sepse këta persona konsiderohet qe kanë ende autoritet”, ka deklaruar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ndërsa, avokati Armend Shkoza, e konsideron jo parimore që bartësit e funksioneve politike të vizitojnë personat që janë në një proces gjyqësor.

“Bartësit e funksioneve publike nuk do të konsiderohej parimore e as ligjore të vizitonin personat që janë në një proces gjyqësor. Mirëpo, me vetë faktin e specifikës së kësaj gjykate dhe natyrës së gjykimit, për personat që po procedohen pranë kësaj gjykate është e nevojshme përkrahja institucionale”, ka thënë avokati Shkoza.

Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së dhe të Kosovës, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, i ka takuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /Portali D/

Exit mobile version