Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci sot ka takuar kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin me të cilin ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërkomunal.
Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se qëllimi i bashkëpunimit mes dy komunave është ofrimi i shërbimeve nga ana e komunës se Drenasit për nevojat e komunës së Zveçanit.
“Sot, ishte një ditë e veçantë për Komunën e Zveçanit së bashku me një pjesë të stafit takova kryetarin e komunës se Drenasit Ramiz Lladrovci, ku nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet komunës se Drenasit dhe Zveçanit, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për bashkëpunimin ndër komunal dhe ligjin për Arbitrazhin.
Qëllimi i bashkëpunimit është ofrimi i shërbimeve nga ana e komunës se Drenasit për nevojat e komunës së Zveçanit, si ofrimi i shërbimeve për sektorët Buxhet, Financa dhe Administratë të përgjithshme, Fushën e Prokurimit dhe Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”, ka shkruar Peci. /Telegrafi/