Komuna e Shtimes gjatë muajve të fundit është përballur me vendime të kundërligjshme të cilat rikthehen për shqyrtim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo çështje ka nxitur reagimin e opozitës PDK-së në këtë komunë duke kritikuar ekzekutivin për padituri.
Sipas opozitës vendimet e kundërligjshme kryesisht kanë të bëjnë me dhënien e pronave komunale në shfrytëzim dhe shpalljen e tyre me interes të përgjithshëm.
Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se në 3 mbledhjet e fundit radhazi po vijnë vendime të kundërligjshme të cilat shqyrtohen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pastaj kthehen në Kuvendin e Komunës dhe në administratën komunale.
“Këto vendime po vijnë të kundërligjshme si pasojë e keq-menaxhimit dhe keq-hartimit të akteve të cilat neve në kuvend po na vijnë të tilla. Këto vendime kanë të bëjnë me dhënien e pronave në shfrytëzim, shpalljen e pronave në interes të përgjithshëm, mirëpo po shihet se administrata komunale apo drejtorët e Qemajl Aliut, nuk po arrijnë të hartojnë vendime të ligjshme në mënyrë siç e parasheh ligji për procedurën administrative”, ka thënë Jakupi.
Sipas Jakupit, opozita në secilën mbledhje e ka ngritur këtë çështje dhe ka ofruar alternativë se si ky problem të zgjidhet përmes ligjit për qeverisjen lokale, mirëpo kërkesat e opozitës nuk janë shqyrtuar asnjëherë.
“Kemi mundësi që aktet që duhet të miratohen në kuvend e kanë mundësinë të dërgohen paraprakisht në MAPL për rishikim dhe pastaj të merren si vendime në kuvendin e Komunës, mirëpo si pasojë e kryeneçësisë, si pasojë e paditurisë dhe si pasojë e keq-menaxhimit, ne po kemi vendime të kundërligjshme që po merren në kuvend dhe po prezantohen nga kryetari e kryesuesi i kuvendit . Po thuajse po bëhen katër vjet nga kjo administratë dhe jo vetëm në vitin e kaluar por vazhdimisht kanë ardhur nga MAPL-ja vendime marramendëse të kundërligjshme. Si pasojë e kësaj, besoj se ne si komunë e kemi humbur një grant të përformancës i cili jepet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pra si pasojë e keq-menaxhimit dhe keq-hartimit të akteve të komunës”, ka sqaruar Jakupi.
Në anën tjetër, deri në momentin e raportimit, Komuna e Shtimes nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me këtë çështje./Telegrafi/