Drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe ata të Policisë së Kosovës, të mërkurën, janë dakorduar për fuqizimin e infrastrukturës policore në fshatin Reçan.
Sipas njoftimit të Komunës, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, kanë nënshkruar kontratën për dhënien përkatësisht marrjen në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit për raste të veçanta, raporton Telegrafi.
“Objekt i kësaj kontrate është shfrytëzimi i një pjese të ndërtesës së Komunës në Reçan, në sipërfaqe prej 82.29 m², pasuri shoqërore e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, që i jepet në shfrytëzim Policisë së Kosovës për ofrimin e sigurisë dhe shërbimeve tjera policore banorëve të kësaj ane”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Kryetari Totaj ka vlerësuar vazhdimisht se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i domosdoshëm për të garantuar një ambient më të sigurt për qytetarët. /Telegrafi/