Site icon Telegrafi

Komuna e Podujevës do të ndihmojë kultivuesit e mjedrës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, gjatë një takimi me përfaqësuesit e pikave grumbulluese të mjedrës, premtoi për rritje të koordinimit ndërmjet komunës, pikave grumbulluese dhe fermerëve, për të pasur një grumbullim sa më të mirë të mjedrës.

Në takimin e sotëm të kryetarit Agim Veliu, me grumbulluesit u diskutua për përgatitjet që janë bërë në prag të fillimit të sezonit vjeljes së frutave të imta.

Me këtë rast pronarët e pikave grumbulluese e njoftuan kryetarin Veliu për përgatitjet e bëra për fillimin e sezonit dhe u shprehën të bindur se pikat grumbulluese kanë kapacitete të mjaftueshme për grumbullimin e produkteve.

Kryetari Veliu kërkoi një koordinim dhe bashkëpunim edhe më të mirë në mes të institucioneve komunale, pikave grumbulluese dhe fermerëve.

“Do të angazhohemi të gjithë për një rritje të bashkëpunimit në mes të Komunës, pikave grumbulluese dhe fermerëve, me qëllim që të kemi një mbarëvajtje të sezonit, veçmas në grumbullimin e mjedrës”, tha Veliu.

Ai u zotua se Komuna e Podujevës do të jetë e përkushtuar për t’u ofruar ndihmë kultivuesve të mjedrës, duke e parë këtë si produkt strategjik për zhvillimin ekonomik të kësaj komune dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Në takim u bisedua edhe për çmimin e mjedrës, të cilin e përcakton kërkesa dhe oferta, si dhe tregu ndërkombëtar për këtë produkt.

Ndryshe, Komuna e Podujevës deri më tani ka ofruar mbështetje për fermerët kultivues të mjedrës me rreth 500 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version