Objekti i Komunës së Mitrovicës është sulmuar me armë zjarri, rreth orës 1:53 minuta. Zëdhënësja e Komunës, Blerina Kastrati, në një prononcim për Telegrafin tha se janë thyer disa xhama në katin e tretë të objektit.
“Ka pasur disa dëme material, mirëpo në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet policore. Ata janë duke punuar në identifikimin e personave të cilët janë të përfshirë në këtë incident”, ka thënë ajo, duke shtuar se janë pritje të raportit final të Policisë.
Kastrati gjithashtu tha se edhe kryetari Agim Bahtiri ka shprehur indinjatë të thellë për veprime të tilla kriminale që thotë se kanë për qëllim destabilizim e situatës aktuale.
“Ai kërkon edhe nga forcat e rendit e të Policisë që të gjithë ata persona që kanë kryer këtë sulm të marrin masa dhe të jepet dënimi i merituar, sepse ky është një akt i shëmtuar që i drejtohet institucioneve shtetërore”, tha Kastrati. /Telegrafi/