Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca e 38-të e Kuvendit Komunal të Mitrovicës.
Në fillim të seancës është mbajtur një minutë heshtje në nder të vdekjes së kryetarit të shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, shkruan Telegrafi.
Pastaj ëshë propozuar si pikë e rendit të ditës çështja e qenve endacakë, i cili u cilësua si problem madhor dhe një rrezik që i’u kanoset qytetarëve çdo ditë.
U theksua se numri i qenve endacakë është rritur gjatë periudhës së fundit kohore në Mitrovicë, derisa si zgjidhje adekuate u vlerësua ndërtimi i një strehimoreje.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja u shpreh se më mirë do të ishte që në mbledhjen e radhës drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, të jepte një raport lidhur me gjendjen aktuale të qenve endacakë në Mitrovicë.
Lidhur me këtë, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri ka thënë se kjo çështje tashmë është shndrruar në një problem kombëtar.
“Çështja e qenve endacakë është problem nacional. E kemi parë që edhe në komunat e ansambletë tjera e kanë këtë problem…Po barten qentë nga një qytet në një qytet tjetër”, ka thënë ai.
Nga ansamblistët e opozitës në Komunën e Mitrovicës është propozuar që të vendosen kamerat e sigurisë tek zona e Liqenit Akumulues.
Në këtë zonë është raportuar shpesh-herë që qytetarët kanë dëmtuar ulëset, ndriqimin publik e të tjerë dhe sipas ansamblistëve të opozitës, përmes kamerave të sigurisë do të ishte më i lehtë identifikimi i personave që i shkaktojnë këto dëme.
Para një jave, Komuna e Mitrovicës ka ndarë 300 bursa për studentë për vitin akademik 2024/2025.
E për këtë, opozita e akuzoi ekzekutivin e Komunës se në krye të listës së përfituesve të këtyre bursave kanë qenë emrat e fëmijëve të zyrtarëve që punojnë në Komunë.
Kësaj situate, ekzekutivi i’u përgjigj opozitës duke thënë se këto janë “hamendësime”, e që duhen fakte të vërtetojnë se kjo gjë është e vërtetë. /Telegrafi/