Në prag të shënimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, që lidhet edhe me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, sot, organizuar nga Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Malishevë, në bashkëpunim me shkollat e komunës sonë, u mbajt ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për mësimdhënësit më të dalluar.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, të cilët shprehën urimet dhe falënderimet e tyre për punën dhe angazhimin e mësimdhënësve.
Kryetari Kastrati dhe drejtoresha Krasniqi, i kanë uruar mësimdhënësit dhe i kanë falënderuar për punën dhe angazhimin e tyre në shkollat e komunës sonë, përderisa kanë folur edhe për rëndësinë e datës së 7 Marsit. Po ashtu kanë folur edhe për Epopenë e UÇK-së, që të dy këto ngjarje janë të lidhura njëra me tjetër, pasi pikërisht mësimdhënësit janë ata të cilët i kanë edukuar breza të tërë, edhe në frymën e atdhedashurisë, si dhe kanë dhënë kontribut të madh edhe gjatë luftës së UÇK-së, ku shumë prej tyre kanë rënë edhe dëshmorë.
Pas fjalimeve, janë ndarë mirënjohjet për më të dalluarit, të cilët janë zgjedhur nga kolektivet e shkollave përkatëse, për arritjet e tyre gjatë vitit shkollor 2024-2025.