Site icon Telegrafi

Komuna e Gjilanit thotë se ka ndodhur një lëshim: Nuk ka vendim për ndërprerjen e grevës

(E plotësuar) Komuna e Gjilanit përmes një sqarimi ka thënë se nuk ka vendim për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve, por e fton Qeverinë e Kosovës dhe SBASHK-un që urgjentisht ta gjejnë zgjidhjen me qëllimin që të fillojë mësimi.

“Komuna e Gjilanit në vazhdimësi ka përkrahur dhe e përkrah kërkesat e arsyeshme të mësimdhënësve, por për hir të nxënësve, prindërve dhe fëmijëve, fton Qeverinë dhe SBASHK-un që të reflektojnë në mënyrë urgjente sepse çdo orë e humbur për nxënësit është humbje e madhe”, thuhet në sqarimin e Komunës së Gjilanit.

————————————————————————–

Komuna e Gjilanit: Ndërpritet greva, nga e marta nxënësit i kthehen procesit mësimor

Komuna e Gjilanit ka vendosur që të ndërpres grevën e mësimdhënësve, e cila ka nisur ditë më parë dhe nga e marta nxënësit e të gjitha shkollave do t’i kthehen procesit të rregullt mësimor.

Siç thuhet në një njoftim të Komunës së Gjilanit, vendimi është marrë pas takimit të drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, së bashku me drejtorët e të gjitha shkollave fillore, të mesme dhe institucioneve parashkollore.

“DKA së bashku me drejtorët e shkollave në vazhdimësi ka përkrahur dhe e përkrah kërkesat e arsyeshme të mësimdhënësve të dala nga SBASHK-u, por për hir të nxënësve, prindërve dhe fëmijëve, fton mësimdhënësit e të gjitha IEA-ve që të mbizotërojë arsyeja dhe mësimi të fillojë që nga nesër duke besuar fuqishëm se këto kërkesa do të realizohen së shpejti në koordinim mes Qeverisë, MASHT-it dhe SBASHK-ut”, ka thënë Gagica. /Telegrafi/

Exit mobile version