Site icon Telegrafi

Komuna e Gjakovës zhvilloi mbledhjen e dytë të asamblesë komunale për këtë vit

Nën kryesimin e Kryesueses Arbënesha Kuqi është mbajtur mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për këtë vit, ku u diskutuan dhe u miratuan me shumicë votash pikat e parapara në rendin e ditës, përfshirë dhe një pikë shtesë e propozuar në fillim të mbledhjes – Shqyrtimi i draft dokumentit Projekt Statuti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Pasuese e pikës hyrëse që zakonisht është shqyrtimi i procesverbalit, ishte pika – Pyetje për ekzekutivin, ku anëtarët e kuvendit parashtruan kërkesa që përgjithësisht ishin të natyrës infrastrukturore, e për të cilat përgjigjet i morën nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Pas kësaj, u diskutua mbi Draft Rregulloren për Bonuset e Zonimit, e cila paraprakisht u prezantua nga Udhëheqësja e sektorit për Zhvillim dhe Planifikim në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Elida Bejtullahu.

Bejtullahu theksoi se kjo rregullore mundëson kompensimin me marrëveshje, duke e përdorur bonusin si vegël, pa pasur qasje në buxhet, me qëllim të kursimit apo uljes së shpenzimeve të buxhetit komunal.

Ndërkaq, sa i takon pikës shtesë të kësaj mbledhje lidhur me Projekt Statutin e QKMF-së, elaborimin e draft dokumentit para të pranishmëve e bëri Menaxheri i Burimeve Njerëzore në Komunën e Gjakovës, Kushtrim Brahimaj, po ashtu anëtar i komisionit për hartimin e draft dokumentit në fjalë.

Pikë përmbyllëse e kësaj mbledhje ishte – Informatë për planin e punës së njësisë së Auditimit të Brendshëm për vitin 2025, ku udhëheqësi i kësaj njësie z.Arbër Gola mes tjerash theksoi përpjekjen e vazhdueshme për zgjerim të fushëveprimit të kësaj njësie.

Exit mobile version