Site icon Telegrafi

Komuna dhe FBK diskutojnë projektin e palestrës së re në Prizren

Prizreni parashihet që të përfitojë një hapësirë të re sportive, që synon të ofrojë kushte moderne për sportistët dhe komunitetin.

Sipas njoftimit të Komunës, kryetari Shaqir Totaj, ka pritur në një takim udhëheqësin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, me bashkëpunëtorë, për të diskutuar rreth projektit final të palestrës sportive që pritet të ndërtohet në lagjen “Ortakoll”, raporton Telegrafi.

Gjatë takimit është vënë në pah rëndësia e këtij projekti për zhvillimin e sportit në qytet, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për stërvitje dhe gara sportive.

Me këtë projekt, sipas njoftimit, parashihet ndërtimi i një objekti me model të veçantë, i cili do të përmbajë tri terrene sportive të përshtatshme për ushtrime dhe gara të ndryshme, duke u shërbyer sportistëve të kësaj ane.

Pas takimit, zyrtarët komunalë dhe ata të FBK-së kanë vizituar edhe hapësirën ku pritet të ndërtohet palestra, raporton Telegrafi.

Ky investim synon të kontribuojë në rritjen e aktiviteteve sportive dhe përfshirjen e të rinjve në sport. /Telegrafi/

Exit mobile version