Nën kryesimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Enver Rugova, është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) në Istog.
Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, drejtorë të drejtorive komunale dhe anëtarët e KPF-së, të cilët diskutuan dhe shqyrtuan disa pika të rëndësishme të rendit të ditës.
Sipas Komunës së Istogut në Facebook ata kanë thënë se këto pika janë dërguar në kuvend për miratim.
“Këto pika të rendit të ditës u shqyrtuan nga anëtarët e KPF-së dhe ju dërguan kuvendit për miratim.”
Pikat e rendit të ditës përfshinin shqyrtimin dhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar, listës së përgjithshme dhe të veçantë të pronave që planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2025, si dhe disa projekt-rregullore për taksa, ngarkesa dhe gjoba, për plotësim-ndryshimin e rregullores komunale për kategorizimin e klubeve sportive dhe për procedurat e zgjedhjes së sportistit të vitit.
Vendimet e miratuara nga KPF-ja do t’i përcillen Kuvendit Komunal për shqyrtim dhe miratim përfundimtar.