Site icon Telegrafi

Kodi telefonik +383, i paqasshëm për verifikimin e dyfishtë të aplikacioneve

Foto: Ilustrim

Verifikimi i dyfishtë është një procedurë që tashmë kërkohet nga shumë aplikacione të cilat kanë gjetur përdorim të shtuar sot në botë, qoftë për një shfletim të postës elektronike (e-mail) apo edhe për aplikacionet e famshme të platformave si Microsoft, Google, Viber, WhatsApp, Snapchat e të tjera.

Ky lloj verifikimi, kërkon që krahas fjalëkalimit, përdoruesit të përdorin edhe një kod i cili atyre u vjen përmes numrit të tyre personal të telefonit.

Përderisa në disa prej këtyre platformave të mëdha, autoritetet e Kosovës kanë arritur ta përfshijnë kodin e ri, +383, problemet paraqiten me aplikacione me të vogla.

Por, në Kosovë, që nga kalimi në kodin shtetëror, +383, një mundësi e tillë shpesh është e pamundur të realizohet.

Qëndresa Ajeti, një kliente e operatorit të telefonisë mobile “Vala”. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur të bëjë shkarkimin e disa aplikacioneve nga interneti për shkak të pamundësisë që të pranojë kodin e nevojshëm në numrin e saj të telefonit.

“Në shumë raste nuk kam arritur të bëj shkarkimin e aplikacioneve të ndryshme për shkak se kodi i cili duhet të vjen në telefon, nuk ka ardhur. Nuk e di se ku qëndron problemi”, thotë ajo.

Një pjesë e madhe e këtyre problemeve, sipas kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, janë si pasojë e mospërfshirjes së Kosovës në listën zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai thotë se këto probleme kanë ardhur pas kalimit të kodeve të huaja ndërkombëtare, në kodin shtetëror të Kosovës +383.

“Ka shumë aplikacione në botë që e përdorin verifikimin e dyfishtë si një nga opsionet për të arritur sigurinë në mënyrë që të auto-identifikohet përdoruesi direkt i llogarisë së caktuar dhe ky problem është shfaqur në disa aplikacione me rastin e kalimit në kodin +383, për faktin se Kosova nuk është e listuar në Organizatën Ndërkombëtare të Standardizimit (ISO), standardin 3166, që merret me akronimet e shteteve, përkatësisht e merr listën e shteteve nga Agjencia e Statistikave të OKB-së, ku Kosova nuk është në këtë listë dhe nuk jemi të listuar në ISO, standardin përkatës. Prandaj ka probleme të kohëpaskohshme në disa aplikacione”, thekson Gashi.

Kosovës iu kishte ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit 2016. Ndërkohë, largimi i kodeve të huaja të cilat ishin përdorur si ai i Monakos +377 dhe kodi i Sllovenisë +386, kanë filluar të largohen nga muaj shkurt i këtij viti.

Gashi thekson se është detyrë teknike dhe obligative e operatorëve të telefonisë në Kosovë, që gjatë kalimit në kodim +383 të njoftojnë sa më shumë operatorë të aplikacioneve të ndryshme, në mënyrë që qytetarët të mos kenë probleme në auto-identifikimin e dyfishtë.

“Si ARKEP, me marrjen e kodit +383 i keni kontaktuar në mënyrë direkte disa nga aplikacionet më të mëdha që përdoren në Kosovë, siç është platforma e Google, Viber, WhatsApp në mënyrë që Kosova të jetë e listuar, por është detyrë teknike e operatorëve që të njoftojnë në vazhdimësi edhe aplikacionet më të vogla në mënyrë që të listohet edhe kodi +383”.

“Përveç kësaj, duhet t’i njoftojnë dhe qytetarët se ka nevojë të ndryshohet edhe formati i numrit telefonik që përdoret për verifikim. Nëse e marrim platformën e Google, aty është i vendosur kodi +383, por nëse nuk është ndërruar nga përdoruesi në kodin e ri dhe ka mbetur në kodin +386 apo +377, ka mundësi që nuk vije mesazhi apo thirrja në drejtim të verifikimit”, sqaron Gashi.

Ai shton se Kosova duhet që identitetin digjital ta ndërtojë duke lobuar tek aplikacionet e ndryshme, te platformat e ndryshme sepse nuk mund ta marrin automatikisht.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli, thotë se nuk janë në dijeni për raste të tilla të raportuara, por, nëse konsumatorët që marrin shërbimet nga Telekomi kanë probleme të tilla, ai i fton ata që të kërkojnë ndihmë në Qendrën e Thirrjeve dhe Shërbimin e Konsumatorëve.

Probleme në telekomunikim edhe brenda Kosovës

Por, nuk janë vetëm problemet ndërkombëtare që po e përcjellin zbatimin e kodit +383 të Kosovës. Klientë të operatorit Vala, ankohen vazhdimisht se nuk po arrijnë të pranojnë dhe të bëjnë thirrje.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli përmes një përgjigje elektronike dërguar Radios Evropa e Lirë nuk e përjashton mundësinë që të ketë vështirësi në realizimin e thirrjeve, qoftë për shkak të ngarkesës së shtuar të trafikut apo mirëmbajtjes së planifikuar të rrjetit, por se këto problem, sipas tij, mund të jenë vetëm në zona të caktuara dhe në kohë të kufizuar.

“Telekomi i Kosovës ka krijuar ekipet e veta teknike që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe monitorimin e rrjetit, në çdo vend dhe çdo kohë. Problemet teknike të paparashikuara mund të ndodhin edhe te ne, sikurse te çdo operator tjetër i shërbimeve, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë krizë financiare. Për më tepër, ekipet përkatëse të Telekomit të Kosovës, vazhdimisht janë duke punuar në terren, në mirëmbajtjen e antenave (BTS) ekzistuese, por edhe instalimin e antenave të reja (BTS), me qëllim që konsumatorëve tanë të ju ofrojmë shërbim sa më cilësor”, thotë Bilalli.

Probleme teknike në sistemin operativ kishin ndodhur edhe në korrik të këtij viti.

Në atë kohë ekspertë të çështje të telekomunikimeve patën theksuar se kjo nuk do të duhej të ndodhte, pasi që rrezikon sigurinë nacionale. Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve, pati thënë për Radion Evropa e Lirë së është e rëndësishme që Kosova të ketë një rrjet të veçantë për shërbime emergjente që në rastet si këto, telekomunikimet për shërbime emergjente të jenë funksionale.

“Kjo ka ndikim shumë të madh në sigurinë nacionale pasi që të gjitha telekomunikimet sot bëhen përmes rrjetit mobil dhe është e rëndësishme që rrjeti mobil të jetë funksional dhe kualiteti i shërbimeve të jetë i duhur dhe i nevojshëm. Prioritet numër një për Telekomin e Kosovës duhet të jetë funksionimi normal i rrjetit. Problemet që shkakton një rënie e tillë e sistemit operativ të Telekomit të Kosovës është se afekton edhe shërbimet emergjente, pasi që janë të lidhura me rrjetin mobil”, pati thënë Elshani.

Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare tani e sa kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara. Një nga borxhet e Telekomit të Kosovës kap vlerën e më shumë se 25 milionë eurove që ka ndaj kompanisë me të cilën ka shkëputur kontratën me Z-Mobile.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Operatori Vala që funksionon në kuadër të Telekomit, ka më shumë se 1.2 milionë konsumatorë në nivel vendi. /REL/Telegrafi/

Exit mobile version