Site icon Telegrafi

Koci: Arrestimi i Rexhepit në Turqi është një keqkuptim i madh që do të sqarohet

Avokati Arianit Koci beson në pafajësinë e Liridon Rexhepit, kosovarit të arrestuar të martën në Turqi nën dyshimin se ka shërbyer si menaxher i një rrjeti financiar të Institutit për Inteligjencë dhe Operacione Speciale – Mossad.

Koci u shpreh se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund t’i zbulojë të gjitha informacionet që i ka, por që është i gatshëm që çdo paqartësi ta sqarojë me autoritete turke sepse siç tha, ka pasur keqkuptime e keqinterpretime të informatave dhe se është e pamundur që Liridoni të jetë një udhëheqës financiar i Mossad-it për atë pjesë të botës.

“Kjo do të jetë betejë juridike mjaft e gjatë, pra nuk është punë që do të kryhet shumë lehtë. Liridoni ka punuar një punë të thjeshtë, është që dy vjet në Gjermani dhe mezi e ka kryer një vizë punë. Në Kosovë ka qenë me të ardhura mesatare, e ne Gjermani është me të ardhura nën mesatare. Ai nga Gjermania ka shkuar në pushim 4-5 ditor në bregdet të Turqisë me shokë të Kamenicës. Ai paska qenë nën vëzhgim nga data 25-30 gusht, dhe në ditën e fundit është arrestuar”, tha Koci, në Rubikon të Klan Kosova.

Më tej ai tha se “sipas autoriteteve turke, ai i ka kryer disa transaksione dhe unë kam sqarim për të gjitha ato që kanë ndodhur. Për mua është thjesht e pabesueshme që një prej figurave më serioze në botë, pra Mossadi të kryejë shërbime financiare përmes Western Unionit”.

“Pra, sipas tyre, janë të dyshimta disa transaksione që janë kryer përmes Western Unionit. Këtu ka një keqkuptim të madh dhe ai do të sqarohet”, deklaroi avokati Koci.

Exit mobile version