Site icon Telegrafi

Klitschko i përgjigjet kritikave të Zelenskyt

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, iu kundërpërgjigj kritikave të presidentit të Ukrainës për masat për të ndihmuar banorët të përballojnë ndërprerjet e energjisë elektrike.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai tha se 430 “qendra ngrohjeje” po i ndihmonin banorët të përballonin efektet e sulmeve ruse në termocentralet dhe më shumë se 100 të tjera ishin planifikuar në rast të kushteve ekstreme.

Reagimi i Klitschko vjen pasi presidenti Volodymyr Zelensky vuri në dukje ditë më parë se kishte shumë ankesa për masat e miratuara në kryeqytet.

Shumica e rajoneve anembanë Ukrainës janë ndikuar nga ndërprerjet e energjisë elektrike këtë javë, dhe ndërsa gjashtë milionë personat e prekur aktualisht dhe Zelensky tha se “problemet më të mëdha” ishin në Kiev.

“Nuk dua të përfshihem në beteja politike, veçanërisht në situatën aktuale”, ka thënë Klitschko.

“Kjo është e pakuptimtë. Unë kam gjëra për të bërë në qytet”, citohet të ketë thënë më tej ai.

Ndërkohë sipas operatorit shtetëror të rrjetit të vendit Ukrenergo, Ukraina ka vetëm energji të mjaftueshme për të mbuluar 80% të nevojave të saj për energji elektrike.

Lajmi vjen pas sulmit të shtatë të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, si pjesë e një strategjie të re për të thyer moralin.

Si pasojë, shkruan Sky News, banorët në Kiev dhe qytete të tjera po jetojnë pa energji dhe ujë – pavarësisht se temperaturat kanë rënë nën zero.

Ndryshe, BE-ja ka bërë të ditur se do ta furnizojë Ukrainën me 200 transformatorë të mesëm, me një autostransformator të madh dhe me 40 gjeneratorë.

Lajmin e kishte bërë të ditur, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas.

Përveç kësaj, Agjencia Shtetërore Amerikane për Ndihmë Humanitare USAID iu dorëzoi ukrainasve 80 gjeneratorë dhe 22,500 batanije.

Mjetet janë vetëm një pjesë e programit të përgjithshëm të ndihmës që Ukraina merr nëpërmjet USAID-it.

Në fillim të nëntorit, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se USAID planifikon të dorëzojë 1,600 gjeneratorë në Ukrainë. /Telegrafi/

Exit mobile version