Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të zhvillohen me 9 shkurt 2025, ku në këto zgjedhje janë certifikuar 27 subjekte politike, prej të cilave 19 parti, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Përveç KQZ-së, që është institucioni kryesor që mbikëqyrë organizimin e procesit zgjedhor, rol të rëndësishëm në këtë proces ka edhe Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ), i cili monitoron procesin zgjedhor nëpër komuna.
Armir Rexhaj, zyrtarë i Lartë Komunal Zgjedhor në KKZ në Gjakovë në një intervistë dhënë për Telegrafin, fillimisht tha se cili është roli i KKZ-së në një proces zgjedhor.
“Komisioni Komunal i Zgjedhjeve administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe sipas udhëzimeve të KQZ.”, tha fillimisht Rexhaj.
Rexhaj po ashtu tregoi edhe numrin e qendrave votuese në Komunën e Gjakovës, duke e marrë parasysh që Gjakova hyn në mesin e 7 komunave më të mëdha në Republikën e Kosovës.
“Në Komunën e Gjakovës, kemi gjithsej 37 qendra të votimit, me 147 vendvotime. 36 prej këtyre qendrave janë të rregullta, ku votuesit e kanë emrin në listën përfundimtare të votuesve, ndërsa një qendër e kemi të votimit me kusht, me dy vendvotime për të gjithë ata votues që votojnë me kusht”, potencoi Rexhaj.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ku sipas listave përfundimtare mbi 100 mijë votues kanë të drejtë votimi në Komunën e Gjakovës.
“Numri i votuesve të regjistruar të cilët kanë të drejtë vote në Komunën e Gjakovës, sipas listës përfundimtare të votuesve është 119 mijë e 237 votues.” , bëri të ditur Rexhaj.
Sa i përket përgatitjeve për zhvillimin e procesit zgjedhor, Rexhaj potencoi që aktualisht gjithçka është duke shkuar në rregull dhe sipas planit të punës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me datën e shpalljes së zgjedhjeve fillon përgatitjet për zgjedhje, duke filluar nga plani i aktiviteteve, ku më pas edhe KKZ-ja në bazë të planit të punës harton edhe planin e aktiviteteve, dhe aktualisht gjithçka është duke shkuar në rregull. Dhe tashmë subjektet politike veçse kanë dërguar në KQZ nominimet për formimin e këshillave të vendvotimit dhe presim miratimin nga KQZ-ja, dhe pastaj këto trupa menaxhuese të zgjedhjeve duhet të trajnohen, ndërsa tani kemi filluar edhe fazën e rekrutimit të kombibusëve të cilët do të shërbejnë për bartjen e materialit sensitiv nëpër qendrat e votimit, dhe po ashtu dua të theksoj që KQZ-ja na dërgon edhe formulën për forminin e stafit teknik që do të jenë prezent ditën e zgjedhjeve nëpër qendrat e votimit”, tha ndër të tjera Rexhaj.
Theksojmë që Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. /Telegrafi/