Kina gjendet nën presion. Eksportet e vendit janë më të dobëta sesa që pritej.
Tregtia e jashtme e Kinës ka humbur papritur vrullin e zhvillimit. Në muajin gusht, eksportet e llogaritura në dollarë amerikanë u rritën vetëm me 7.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ekspertët kishin pritur rritje dyshifrore pasi eksportet u rritën me 18 për qind në korrik.
Arsyet që përmenden janë rënia e kërkesës botërore për shkak të rritjes së inflacionit dhe çmimeve të energjisë. E u përmendën edhe ndërprerjet e prodhimit në Kinë, për shkak të bllokimeve si rezultat i strategjisë zero-COVID-19 dhe mungesa e energjisë për shkak të nxehtësisë.
Importet rriten shumë pak
Më keq sesa që parashikohej janë zhvilluar edhe importet e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, pasi kishte një rritje minimale prej vetëm 0.3 për qind. Në muajin korrik u shënua një rritje e importeve prej 2.3 për qind. Sipas ekspertëve, sfondi i kësaj rritjeje të ngadalshme është disponimi i keq mes konsumatorëve kinezë dhe kriza në tregun e pasurive të paluajtshme në Kinë. Suficiti tregtar ishte gjithashtu nën pritshmëritë, me vetëm 79 miliardë dollarë.
Pavarësisht zhvillimit përgjithësisht të dobët të importeve, në Kinë kishte edhe një lajm të mirë për eksportuesit gjermanë. Përkundër krizës dhe problemeve të mëdha, eksportet gjermane në Kinë janë rritur me 4.9 për qind.
“Ngadalësimi më i madh se sa që pritej në rritjen e eksporteve të Kinës është një tjetër shenjë se rimëkëmbja ekonomike e këtij vendi po humbet vrullin – dhe ka nevojë për më shumë mbështetje politike. Ne presim që tregtia të mbetet nën presion edhe në pjesën tjetër të vitit”, tha David Qu, kryeekonomist në agjencinë financiare Bloomberg.
Rritja e biznesit me Rusinë
Tregtia e Kinës me Rusinë, kundër së cilës janë vendosur sanksione ekonomike ndërkombëtare për shkak të agresionit në Ukrainë, vazhdon të rritet fuqishëm. Kina, e cila qëndron politikisht pas presidentit rus Vladimir Putin, importoi 59.3 për qind më shumë nga Rusia në këtë periudhë – kryesisht energji. Në të kundërt, eksportuesit kinezë dërguan 26.5 për qind më shumë mallra në vendin fqinj.
Bashkimi Evropian arriti të rrisë eksportet e tij drejt Kinës me 3.1 për qind. Anasjelltas, Kina eksportoi 11.1 përqind më shumë në BE. Në tregtinë me SHBA-në, nga ana tjetër, si importet ashtu edhe eksportet e Kinës kanë rënë. Eksportet kineze kanë rënë me 3.8 për qind, ndërsa importet nga SHBA kanë rënë me 7.4 për qind.
Ekonomia kineze nën presion
Ekonomia kineze edhe më parë ishte nën presion. Në tremujorin e dytë të vitit, rritja ishte vetëm 0.4 për qind. Ndërkohë që Qeveria kishte vënë si objektiv një rritje prej 5.5 për qind për këtë vit. Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret një rritje vjetore prej vetëm 3.3 përqind.
Si pasojë e zhvillimeve zhgënjyese ekonomike, juani kinez ka shënuar rënie të dukshme me 0.36 për qind dhe tani vlen 6.98 juan për një dollar. Pavarësisht se është në nivelin më të ulët në dy vjetët e fundit, dobësimi i juanit nuk e ka nxitur eksportin kinez.
Rënia e vlerës së monedhës vendore do të thotë se mallrat kineze janë në tregun ndërkombëtar me çmime më të volitshme.
“Dollari i fortë po ushtron presion mbi importet”, tha kryeekonomisti nga Jones Lang Lasalle, Bruce Pang.
Për shkak të këtyre zhvillimeve është shqetësuar edhe kreu politik në Pekin. Zëvendësministri i Tregtisë, Li Fei njoftoi se qeveria do të ndihmojë kompanitë e tregtisë së jashtme për t’u mbrojtur nga rreziqet e kursit të këmbimit. /Deutsche Welle/