Kina kundërshton thirrjet për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi origjinën e coronavirusit dhe thotë se ato janë të motivuara politikisht, raporton BBC.
Pothuajse që nga fillimi i pandemisë, ka pasur thirrje të përsëritura që hetuesit ndërkombëtarë të lejohen të udhëtojnë në Kinë për të zbuluar se si filluan të gjitha, transmeton Telegrafi.
Një diplomat i lartë kinez në Mbretërinë e Bashkuar, Chen Wen, i tha BBC-së se kërkesat ishin të motivuara politikisht dhe mund të largonin vëmendjen e Kinës nga lufta kundër pandemisë.
“Një hetim i pavarur është i motivuar politikisht. Unë nuk mendoj se dikush mund të pajtohet të nisë një hetim … Nuk do t’i bënte askujt ndonjë të mirë”, tha Chen.
“Ne aktualisht po luftojmë virusin dhe po përqendrojmë përpjekjet tona për të luftuar virusin. Pse të flasim për një hetim? Jo vetëm që ky veprim do të shkëpusë (nga gjëra të rëndësishme), por gjithashtu do të devijojë burimet”.
Informacioni mbi origjinën e virusit Sars-CoV-2 dhe mënyrën se si u përhap fillimisht mund të ndihmonte vendet të luftojnë sëmundjen globalisht, thekson BBC.
Virusi besohet të jetë shfaqur në Wuhan
Virusi mendohet të jetë shfaqur në një treg të kafshëve në Wuhan në fund të vitit të kaluar.
Kryeministri i Australisë Scott Morrison tha të enjten se ai synon të kërkojë një hetim në mbledhjen vjetore të Asamblesë Botërore të Shëndetit, organi i Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO), muajin tjetër.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar në mënyrë të përsëritur Kinën mbi mënyrën sesi autoritetet e vendit po përballen me epideminë.
Në të njëjtën kohë, një raport i BE-së akuzon Kinën për përhapjen e dezinformatave për krizën e lidhur me coronavirusin. /Telegrafi/