Fansat e zjarrtë të Kidës e kanë marrë situatën në dorë dhe nuk e kanë lënë këngëtaren e tyre të preferuar të gjendet në vështirësi. Ndërkohë që “Merri krejt” u cilësua si debutimi më i dobët i Kidës, votat e fansave kanë bërë që Kida të kryesojë klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare këtë javë.
Në javën e parë të hyrjes në klasifikim, ky projekt i Kidës renditej në vendin e 78-të, por një javë më vonë, votat e publikut e ngjitën artisten me 76 pozicione, duke e renditur në vendin e dytë dhe këtë javë në fronin e “The Top List”.
Kjo nuk është hera e parë që Kida ka qenë në krye të listës pasi po të kthehemi pas në kohë, projekti i suksesshëm i saj, “Ti”, ka mbajtur kreun për dy javë rresht si edhe shumë projekte të tjera.
Kjo javë ka ardhur tepër befasuese për projektin e ri të Butrint Imerit. Projekti i tij më i ri muzikor “Kush?” e ka risjellë sërish artistin në qendër të vëmendjes, duke e renditur në zonën e nxehtë të klasifikimit. Falë mbështetjes së publikut, kjo këngë është ngjitur me 41 pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e dytë.
Sa i përket vendit të tretë, ai i përket bashkëpunimit të Majk dhe Yll Limanit, “Krejt ti fala”, i cili ka humbur dy pozicione nga java e kaluar, duke lënë kështu kreun, të cilin e mbante për dy javë rresht.
Hyrjet e reja nuk kanë munguar as këtë javë në listën zyrtare të “Top Awards”. Katër projekte të reja i janë bashkangjitur “The Top List” këtë javë, dukë lënë jashtë saj, disa prej këngëve që prej shumë kohësh ishin pjesë e klasifikimit. /TopChannel/