Telegrafi

KFOR-i kërkon përmbajtje: Nuk hezitojmë të veprojmë, jemi gjithandej Kosovës

Pas deklarimit të kryeminsitrit Albin Kurti për mundësinë e hapjes së Urë së Ibrit në veri, ka reaguar misioni i KFOR-it.

Në një komunikatë gjatë së martës mbrëma, ky mision ka ripohuar përkushtimin e palëkundur për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë.

“Në të gjithë Kosovën kemi një prani të dukshme dhe fleksibël. Komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së,” u shpreh KFOR-i në komunikatë.

KFOR-i gjithashtu theksoi se mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth.

“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga BE-ja ”, thuhet më tej.

KFOR-i gjithashtu apeloi për përmbajtje nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal.

“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë partnerët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht”.

“KFOR-i është i mirëpajisur dhe i pozicionuar për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja,” përfundon komunikata e KFOR-it./Telegrafi/