Site icon Telegrafi

KFOR dhe Ambasada SHBA angazhohen në gjetjen e vjedhësve të rrymës

KEDS-i ka bërë të ditur se tashmë Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e ushtrisë amerikane të KFOR-it, po ndihmojnë në rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Departamentit të Drejtësisë sё SHBA-sё, Zyra e Zhvillimit, Ndihmës dhe Trajnimit tё Prokurorëve (OPDAT) në Prishtinë, me mbështetjen e avokatëve të Ushtrisë Amerikane në KFOR, kanë iniciuar dhe po e mbështesin një projekt i cili ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet KEDS, Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatave për të përmirësuar efikasitetin dhe proceset e ndjekjes së veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike.

Në një takim të përbashkët palët ranë dakord që të inicojnë procese për të avancuar përgatitjen e rasteve dhe përpjekjet për të zgjidhur rastet me marrëveshje të pranimit të fajësisë pa shkuar në gjykim. Të dy këto masa pritet të shkurtojnë kohën e përpunimit të lëndëve penale, në mënyrë që prokurorët dhe gjyqtarët të mund të shfrytëzojnë kohën e tyre në mënyrë më efektive.

“KEDS e ka mirëpritur këtë iniciativë. Që nga themelimi i KEDS, katër vjet më parë, ka pasur mijëra raste të vjedhjes së energjisë elektrike të dërguara në zyrat e prokurorive dhe të gjykuara nga gjyqësori”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

“Kjo do të ndihmojë të gjitha palët, duke përfshirë KEDS-in, prokurorinë, gjykatat dhe konsumatorët e afektuar nga kjo dukuri. Kjo iniciativë, ku proceset avancohen përmes dialogut të drejtpërdrejtë, është për t’u përshëndetur. Kjo do ta lehtësojë shumë punën tonë “, tha Bujar Jupaj, drejtor i Departamentit për Matjen dhe Kontrollin e Humbjeve në KEDS. Gjatë takimit ai bëri një prezantim të hollësishëm para prokurorëve dhe gjyqtarëve, përmes përshkrimeve dhe fotografive të metodave të ndryshme të vjedhjes së energjisë elektrike dhe metodat e KEDS-it për dokumentimin dhe trajtimin e vjedhjeve.

Ky pilot projekt fillimisht do të fokusohet në rajonin e Pejës dhe gradualisht do të zgjerohet për të përfshirë Prishtinën dhe pastaj pjesë të tjera të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version