Këshilli i Prindërve i Kosovës ka paralajmëruar ndërmarrjen e disa veprimeve që do të mund të ndihmonin nxënësit derisa greva në arsim po vazhdon.
Këshilli i Prindërve ka thënë se për shkak të situatës së krijuar shumë nxënës kanë filluar të çregjistrohen nga shkollat publike.
“Kjo situatë e përsëritur për të satën herë, në momentin më të rëndë të arsimit në Kosovë, është tërësisht e papranueshme dhe e paarsyeshme, e cila po dëshmohet edhe me çregjistrime të përditshme të nxënësve nga shkollat publike”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Prindërve.
Si alternativë ndaj grevës që po vazhdon, Këshilli i Prindërve ka dhënë 5 rekomandime.
1) Të kërkohet furnizimi me libra i të gjithë fëmijëve përmes prindërve nga të gjitha shkollat në Kosovë qysh nesër (më 12 shtator).
2)Prindërit të fillojnë takime të rregullta ditore nëpër hapësirat shkollore ose kudo është e mundur, me qëllimin e vetëm marrjen e veprimeve për t’i dalë në ndihmë fëmijëve të tyre.
3)Prindërit të fillojnë të punojnë me fëmijët e tyre përmes platformave digjitale në internet të ofruara nga MASHT, Youtube, eShkollori e të tjera.
4)Prindërit të koordinohen dhe bashkëpunojnë me mësimdhënësit që duan të zhvillojnë mësim në distancë përmes platformave në internet për ta realizuar sa më mirë procesin mësimor.
5)Në shkollat ku është e mundur, ditëve në vijim prindërit t’i çojnë për një orë fëmijët për t’u takuar me shokët e shoqet e klasës.
“I lusim edhe të gjithë vullnetarët që kanë kapacitete për të ndihmuar mësimin në distancë të kontaktojnë me Këshillin e Prindërve të Kosovës ose këshillat e prindërve nëpër komuna ose shkolla”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Këshillit të Prindërve./Telegrafi/