Site icon Telegrafi

Këshilli i prindërve: Jemi të zhgënjyer me rezultatet e PISA-s

Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur i zhgënjyer me rezultatet e testit ndërkombëtar të vlerësimit PISA, ku Kosova u rendit në tri vendet e fundit të botës.

Këshilli i prindërve thotë se nga kjo vërehet se edhe përkundër përpjekjeve që janë bërë për rritjen e nivelit të cilësisë në arsimin e Kosovës ende jemi shumë larg nivelit të dëshiruar.

“Edhe prindërit sikur edhe institucionet shtetërore e komunale kanë pritë shumë më tepër nga ky vlerësim i cili edhe pse në vendin tonë aplikohet për herë të parë rezultati është tepër shqetësues dhe tregon nivelin jo të mirë të arsimit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Këshillit…përgjegjësia për këtë nivel të ulët është kolektive, institucionale dhe shtetërore, e cila përgjegjësi duhet të nxisë të gjithë të reflektojnë pozitivitet, angazhim, transparencë dhe llogaridhënie.

“Ky rezultat i dobët që është dalë nga ky testim nuk është dobësi vetëm e nxënësve të cilët iu kanë nënshtruar testimit por është rezultat i dobët për vet shtetin e Kosovës andaj Këshilli i Prindërve apelon nga të gjitha organet relevante si, Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera të Kosovës që të angazhohen maksimalisht për përmirësimin e nivelit të arsimimit përfshirë këtu në radhë të parë mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, drejtorët e DKA-ve, MASHT-in dhe Ministritë tjera, SBASHK-u pa i anashkaluar as edhe të zgjedhurit e popullit dhe prindërit”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Veç tjerash Këshilli i Prindërve apelon që ky rezultat i vlerësimit PISA mos të përdoret për qëllime të cilat nuk i kontribuojnë situatës nga kushdo qoftë, por gjithçka të jetë në kontest të zgjedhjes së problemeve e kurrsesi ky proces të politizohet.

“Nëpërmes kësaj komunikate, ne, Këshilli i Prindërve të Kosovës u bëjmë apel të gjithë nxënësve që mos të dekurajohen por të angazhohen për mësimnxënje sa më cilësore, me shpresën se testimi i ardhshëm do të na gjej më të përgatitur dhe me rezultate më të larta”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version