Site icon Telegrafi

BE ndan 13 milionë euro për ushtrinë e Shqipërisë

Këshilli Evropian miratoi një ndihmë prej 13 milionë eurosh për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me qëllim rritjen e efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes.

Komisioneri i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Shqipëria është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një vend kandidat për në BE, andaj vendimi i sotëm është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen.

“Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”, u shpreh Borell.

“Vendimi është një rezultat konkret i angazhimit në rritje me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, thuhet në një njoftim të Këshillit Evropian.

Mekanizmi Evropian i Paqes do të sigurojë pajisje që nuk janë projektuar për të prodhuar forcë eliminimi fizik dhe, aty ku nevojitet, furnizime dhe shërbime të tjera, përfshirë trajnim teknik.

Forca Tokësore Shqiptare do të marrë mjete të lehta të blinduara shumëfunksionale.

Këto mjete janë të pajisura për të siguruar lëvizshmëri dhe manovrim të lartë në të gjitha llojet e terrenit dhe kushteve të motit, si dhe për të siguruar mbrojtjen e personelit ndaj armëve të lehta dhe eksplozivëve.

Exit mobile version