Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në vendin tonë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Italia, pas një urdhër arresti të lëshuar në vitin 2022 nga gjykata e Venecias. 24-vjeçari Klinder Luka, u vu në pranga si pjesë e operacionit “SACRIPANTE”, ku në Itali u vunë në pranga 10 persona.
Luka akuzohet si pjesë e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve dhe pritet ekstradimi i tij në Itali.
Njoftimi i Policisë
Zhvillohet në Shqipëri, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, operacioni policor ndërkombëtar i koduar “SACRIPANTE.AL”.
Operacioni, i iniciuar nga Prokuroria e Venecias, në vitin 2022, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve.
Kapet në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për pjesëmarrje në këtë grup.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera në koordinim me partnerët italianë, në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar nga Prokuroria e Venecias, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Lezhë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë Italiane dhe me Karabinierinë e Venecias, zhvilloi në Shqipëri, operacionin ndërkombëtar antidrogë, të koduar “SACRIPANTE.AL”.
Gjatë operacionit u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar K. L., 24 vjeç.
Gjykata e Venecias ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi dyshime për kryerje të veprave penale në fushën e narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas parashikimeve të neneve 81, 110 dhe 73 të Kodit Penal italian.
Gjatë operacionit “SACRIPANTE”, u vunë në pranga në Itali, 10 shtetas.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për ekstradimin në Itali, të shtetasit të arrestuar.
Operacioni ndërkombëtar “SACRIPANTE.AL”, në pranga shtetasi Klinder Luka.