Site icon Telegrafi

Kërkohet reagimi i ndërkombëtarëve pas arrestimit të dy shqiptarëve në Serbi

Dy filma shqiptarë nuk u lejuan të shfaqen në Bujanoc. Madje, institucionet e Serbisë edhe arrestuan personat që kishin të bëjnë me ata filma. Shfaqja e tyre nuk do të lejohet deri në momentin kur institucionet e sigurisë në Serbi do të marrin një vendim për përmbajtjen e tyre. Veprimet e policisë serbe kanë nxitur reagime të shumta në Luginë të Preshevës dhe Kosovë.

Dy filma shqip ishin paraparë të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.

Por kjo nuk ndodhi për shkak se autoritetet serbe e ndaluan një gjë të tillë veç pse ata ishin të sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës.

Madje, Policia e Serbisë të premten arrestoi drejtorin e Shtëpisë së Kulturës dhe njërin nga aktorët, të cilët më pas i ka marrë edhe në pyetje.

Këto veprime ata i kundërshtuan të shtunën në një konferencë për media pasi u liruan nga Policia.

“Mua më është marr mbarmë edhe USB-ja me dy filma që do ti dorëzohet prokurorisë që pastaj të krijohet një komision për ti parë filmat se çfarë mesazhi japin dhe nëse ata vendosin që të mos shfaqën atëherë s’munden me u shfaq në Serbi”, ka thënë aktori arrestuar, Gani Veseli.

Edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Jetmir Ismajli tregoi se çfarë e pyetën në policët serbë rreth këtij aktiviteti kulturor.

“Preteksti i tyre ishte se pse e kam leju të jetë pa pagesë, ata më paraqitën të korruptum, gjoja se kam marrë pagesë prej aktorëve vetëm pse këta filma kanë pasur të shfaqën pa pagesë, pavarësisht që ky nuk ka qenë vendim i jemi por i producentit”, ka thënë Ismajli.

Për gjithë këtë situatë ka reaguar edhe Ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku, i cili e quajti të papranueshëm këtë veprim të institucioneve të Serbisë.

Lexo po ashtu Serbia ndaloi shfaqjen e filmave shqip në Bujanoc, Çeku: E paprecedent dhe e papranueshme

“Politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”, ka thënë Çeku.

Ndërsa nga Këshilli Kombëtar Shqiptar thanë se janë shqetësuese dhe e papranueshme forma se si janë marrë të arrestuarit.

Kryetari i këtij Këshilli, Nevzad Lutfiu ftoi të gjithë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë veprim të policisë serbe. /Dukagjini/

Exit mobile version