Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të pandehurin S.S. dhe ka kërkuar masën e paraburgimit, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, dyshohet se më 12 nëntor 2020, në komunën e Parteshit, i pandehuri S.S., duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ka përdorur vulën zyrtare të Republikës së Kosovës për të konfirmuar certifikatën e të qenit gjallë të gjendjes civile dhe të vendbanimit për D.S., edhe pse e njëjta ka qenë e vdekur.
Në këtë mënyrë, S.S. ka mundësuar që një tjetër person të përfitonte pensionin shtetëror zviceran, në vlerë prej 22.192 Frangash zvicerane.
Për këtë, i pandehuri është ndaluar me urdhër të prokurorit dhe aktualisht gjendet nën masën e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/