Prokuroria Themelore e Pejës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre të pandehurit Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi nga Klina lidhur me kultivimin e bimëve narkotike.
Në kërkesën të cilën e ka siguruar Telegrafi për caktimin e paraburgimit që Prokuroria i ka dërguar Gjykatës Themelore në Pejë, thuhet se “Të pandehurit Gzim Gashi dhe Faik Gashi gjenden në ndalim nga data 30.10.2024, ndërsa i pandehuri Selim Gashi gjendet në ndalim nga data 31.10.2024 me dyshimin e bazuar se kishin për të kryer vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit””.
Në arsyetimin e Prokurorisë se përse duhet caktuar masa e paraburgimit ndaj të pandehurve thuhet se Policia e Kosovës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik në Pejë, me datën 10.07.2024 ka parashtruar në këtë prokurori kallëzimin penal kundër të pandehurit Gzim Gashi për shkak të veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 par. 1 lidhur me nenin 77 dhe nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së.
Historiku i fillimit të hetimeve ndaj tre të pandehurve kishte nisur fillimisht ndaj Gzim Gashi ku Prokuroria më 11 korrik 2024 kishte nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tij.
Më pas më 12 korrik, ishte lëshuar autorizimi për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, shkruan Telegrafi.
Prokuroria e Pejës më 15 korrik kishte pranuar plotësimin e kallëzimit penal kundër Faik Gashi, dhe po të njëjtën ditë është nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve ndaj tij.
Kurse hetimet ndaj Selim Gashit kishin nisur më 5 gusht 2024.
Prokuroria thekson se baza ligjore për caktimin e masës së paraburgimtit për tre të pandehurit është se “Ekzistimi i dyshimit të bazuar i pandehuri kishte për të kryer veprën penale të cekur sikurse në aktvendimin për fillimin e hetimeve”
Tutje në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar Telegrafi, thuhet për veprën penale për të cilën janë duke u hetuar të pandehurit Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi me të pandehurit tjerë të cilët për momentin janë arrati, është vepra penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 par. 1 lidhur me nenin 77 dhe nenin 275 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së vepër kjo për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.
“Po ashtu referuar faktit se të pandehurit Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi nga momenti i kryerjes së veprës penale, ani pse kanë qenë në dijeni se janë në kërkim nga organet e hetuesisë ata prapë se prapë arratisen. Të pandehurit Gzim dhe Faik qëndrojnë në arrati deri me datën 30.10.2024 kur pas një pune të shkëlqyer të Policisë së Kosovës, Njësitit për hetimin me narkotik në Pejë dhe institucioneve tjera relevante janë arrestuar në një shtëpi të cilën e kishin marrë me qira dhe kjo rrjedhimisht nënkupton se ata nuk e kishin fare në plan për tu dorëzuar. Po ashtu i pandehuri Selim Gashi qëndron në arrati deri me datën 31.10.2024 kur edhe arrestohet nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Klinë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria thekson se me lënien e tyre në liri ekziston rreziku real që ata të arratiset dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale.
Kujtojmë se për këtë vepër policia është në kërkim edhe të, Albion Kalemit i cili ndodhet ende në arrati.
Policia e Kosovës gjatë operacionit policor në Klinë kishte zbuluar 960 bimë narkotike në një plantacion prej 70 ari, me një peshë totale që tejkalon 500 kilogramë.
Pikërisht për këtë rast ishte kërcënuar prokuroi Ersan Qavolli dhe zëdhënësi Shkodran Nikçi. /Telegrafi/