Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj tre personave për veprën posedim dhe shitje të narkotikëve

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve G.I., J.I., dhe Rr. Sh., me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas njoftimit thuhet se prokuroria më parë e deri më 26.10.2021, në fshatin Stubëll, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes, kanë poseduar substanca të cilat me ligj janë shpallur narkotikë.

“Të njëjtit kanë qenë nën masat e fshehta të hetimit e vëzhgimit, e ku me datë të cekur më lartë, sipas urdhëresës së Gjykatës kompetente, është bërë bastisja në shtëpitë e objektet përcjellëse të pandehurve, ku nga kjo bastisje ka rezultuar me gjetjen e 5 kilogramë e 571 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila është konfiskuar nga zyrtarët policorë. Prokurori i rastit ndaj të pandehurve G.I., J.I., dhe Rr. Sh., ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/