Site icon Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj mjekut për ndërprerje të palejuar të shtatzënisë dhe moslajmërim të veprës penale

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin A.G., në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet të ketë kryer veprat penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimit për media, ndaj tij sot nga prokurori i rastit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan.

“Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.G., më 15 Shkurt 2020, në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij në Prishtinë, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur, nën moshën 14 vjeçare dhe pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, ka ndërprerë shtatzëninë e të miturës, duke e dëmtuar rëndë shëndetin e saj. Gjithashtu, i dyshuari me rastin e kontrollimit mjekësor gjinekologjik të të miturës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit, të cilën e ka zbuluar ushtrimit të detyrës së tij”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet tutje në njoftim, për këtë rast sipas kërkesës së prokurorisë dy persona gjenden nën masën e paraburgimit, pasi dyshohen se kanë dhunuar të miturën nën moshën 14 vjeçare, e cila më pas edhe ka abortuar. Po ashtu, në këtë rast është përfshirë edhe një mjek gjinekolog, i cili nuk kishte lajmëruar rastin atëherë kur e mitura ishte kontrolluar në ordinancën e tij. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version