Ëndrra për t’ia rrëmbyer Zvicrës talentët më të mirë me prejardhje nga Kosova, duhet të vazhdojë edhe për disa muaj.
Përfaqësuesja e Zvicrës U21 ka ftuar në radhët e veta katër lojtarët e talentuar nga Kosova që po luajnë me sukses në Evropë.
Kastriot Imeri aktivizohet me Servetten në Superligën e Zvicrës ku në të njëjtin rang garash luan edhe Toni Domgjoni me Zurichun.
Andi Zeqiri është pjesë e Brightonit në Ligën Premier, derisa Bastien Toma luan te gjiganti belg Genk.
Që të katër futbollistët që janë në radarin e Përfaqësueses së Kosovës janë ftuar për Kampionatin Evropian të 21 vjeçarëve nga Zvicra.
Helvetikët do të luajnë tri ndeshje në mars, ku përballen me Anglinë, Kroacinë dhe Portugalinë, nga 25 deri më 31 mars.
Zvicra bën pjesë në Grupin D të Kampionatit Evropian U21.
Lojtarët në fjalë ende nuk e kanë refuzuar përfundimisht Kosovën, por ata fillimisht duan ta luajnë Evropianin me Zvicrën U21.
Gjithsesi tanimë jemi mësuar nga futbollistët, që Përfaqësuesen e Kosovës e shohin si opsion rezervë nëse nuk ftohet nga ndonjë Kombëtare më me emër. Sigurisht edhe këta katër, në rast se nuk marrin ftesa nga Zvicra A në të ardhmen, do të japin deklarata të tilla se gjithmonë në mendje e kanë pasur Kosovën. /Telegrafi/