Site icon Telegrafi

Kërcënimi ushtarak i Serbisë dhe apologjeti në Tiranë

Lufta ishte një mjet i skajshëm, por ligjor për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve deri në fillim të shekullit XXMbas Luftës së Parë Botërore pati disa nisma ndërkombëtare, jo fort të suksesshme, për të ndaluar agresionin (por, jo luftën mbrojtëse). Vetëm mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Kartën e Kombeve të Bashkuara të qershorit 1945 u sanksionua si synim jo vetëm “shtypja e agresionit”, por edhe detyrimi nga shtetet anëtare të “ndalojnë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare çdo kërcënim apo përdorim dhune, që drejtohet kundër paprekshmërisë territoriale apo pavarësisë politike të një shteti tjetër”.

Akti Final i Helsinkit në gusht 1975 dhe aktet vijuese të KSBE/OSBE ishin edhe më të qarta e të rrepta në ndalimin e agresionit dhe kërcënimit me dhunë mes shteteve. Në Evropë, hiq luftërat në ish-Jugosllavi e përjashto Rusinë, parimet e mësipërme duket se kanë zënë rrënjë. Aq fort është konsoliduar ky koncept, saqë vitin e fundit është diskutuar gjerësisht mundësia e paditjes së presidentit rus Vladimir Putin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit kundër Ukrainës.

Fjalët më lart mund të duket si një ekstrakt nga leksionet mbi të drejtën e marrëdhënieve ndërkombëtare që pasqyron një zhvillim të lumtur. Fatkeqësisht, në rajonin tonë së fundmi kemi një përjashtim të hidhur. Serbia e presidentit Aleksandar Vuçiq ka mobilizuar e dislokuar ushtrinë në kufi me Kosovën – tri herë në vitet e fundit – përfshirë ndonjëherë edhe avionët gjuajtës që fluturuan përgjatë hapësirës ajrore kosovare. Kjo ndodhi në shtator 2021, në nëntor-dhjetor 2022 (kriza e targave) si dhe në dy javët e fundit (kriza e kryebashkiakëve në veri të Ibrit).

Vuçiqi deklaroi se do të ndërhynte po të ishte nevoja, pasi po “masakroheshin” serbët në Kosovë. Në dhjetor 2022, ia ka shkruar KFOR-it një letër groteske duke lypur leje që ushtria serbe të hynte në Kosovë për të vendosur rregull.

Mund të debatojmë nëse imponimi i targave RKS apo i zgjedhjeve nën bojkot të shumicës, të futjes në zyrë të kryebashkiakëve nën mbrojtje policore, ishte e mençur dhe e dobishme apo jo. Megjithë opinionet e ndryshme, madje të kundërta, të tërë njerëzit normalë lipset të bien dakord që as targat, e as bashkitë, nuk kërcënonin serbët e Kosovës me gjenocid apo masakër. Këto të fundit në raste specifike mund të jenë arsye për ndërhyrje të armatosur (Kosova 1999 është njëri syresh).

Tri kërcënimet e Serbisë me dhunë të armatosur janë shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. Për fat të keq, reagimi i komunitetit ndërkombëtar (ShBA, BE, NATO) ndaj këtyre shkeljeve ka qenë i mekur. Kjo sepse Perëndimi po rreket të joshë Vuçiqin që të dalë jashtë orbitës së Putinit. Karotat e kësaj joshjeje janë edhe ndonjë koncesion i paarsyeshëm që po i kërkohet Kosovës. Jo të paktë janë ata, përfshirë edhe mua, të cilët mendojnë se kjo strategji është miope dhe pa shanse për sukses, e cila deri më sot ka dështuar. Por, verifikimin përfundimtar le t’ia lëmë kohës. Reagimi i mekur mund të lidhet edhe me një presion indirekt ndaj kryeministrit “kokëfortë” në Prishtinë. Në këtë rast mekja nuk është vetëm amorale, por edhe e rrezikshme për paqen, pra për të tërë.

Javën e shkuar, në një konferencë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pyetur për mobilizimin e ushtrisë serbe e për kërcënimin ndaj Kosovës, tha se ajo nuk paraqet asnjë rrezik dhe se mobilizimi i saj bëhet vetëm për politikë të brendshme. Rreziku konkretisht e i matshëm nga ushtria civile e Vuçiqit që u sul ndaj KFOR-it me të gjitha mjetet e mundshme, përfshinë edhe armët zjarrit dhe dërgoi disa duzina ushtarë në spital. Të nesërmen, KFOR-i e pa të nevojshme të dërgonte me urgjencë një mijë trupa si përforcim në komunat e veriut. Rreziku i konfrontimit mes ushtrive nuk matet dot saktë, por historia dëften se shumë konflikte ushtarake janë konsideruar të pamundura deri në çastin që kanë shpërthyer. Në çdo rast kemi të bëjmë me një gjest të rëndë armiqësor kundër Kosovës, që rrezikon paqen e stabilitetin dhe që shkel ligjin ndërkombëtar. Perëndimi edhe kësaj radhe i kërkoi Serbisë të prapësonte ushtrinë dhe të anulonte gjendjen e gatishmërisë së lartë. Kryeministri i Shqipërisë ishte i vetmi qeveritar i hemisferës sonë që e quajti këtë pa zarar.

Edhe më parë Rama ka spikatur kësisoj: Serbia nuk adoptoi sanksionet anti-Rusi të Bashkimit Evropian. Parlamenti Evropian, ai holandez e të tjerë në rezoluta specifike kërkuan që ky qëndrim serb të ketë pasoja, duke nisur me pezullimin e integrimit në BE e deri te sanksionet ekonomike kundër Serbisë. Qeveritë në BE dhe në ShBA e qortuan retorikisht Beogradin, por nuk morën masa konkrete për arsyet e shpjeguara më lart. Por, Rama ishte i vetmi shef qeverie në hemisferën tonë i cili shpjegonte publikisht e me pasion, në çdo takim ndërkombëtar, se Beogradi nuk mundej (nuk kishte si e pse!) të adoptonte ato sanksione dhe çdo presioni Perëndimit do të ishte një gabim.

Nëse qëndrimi i Ramës ndaj sanksioneve është një pro-vuçiqizëm ekstrem, qëndrimi i tij ndaj kërcënimit të ushtrisë serbe është një anti-kosovarizëm anormal. Vuçiqi, po të perifrazojmë Lord Actonin, është horri që ka gjetur në Tiranë një sofist me sfungjer në dorë.

 

 

Exit mobile version