Filozofi gjerman Martin Hajdeger paralajmëronte – shumë dekada më parë – shqetësimin se shoqëria po rrezikohej nga psika maniake e së tashmes, e cila e sheh të ardhmen vetëm si pasiguri dhe turbullim.
Po të kemi parasysh se shqetësimi i filozofit gjerman ishte pa mbërritur rrjetet sociale, pa mbërritur në “mbretërinë e përkohshmërisë”, siç jemi sot, ne duhet të shqetësohemi disa herë më shumë pasi po rrezikojmë të jemi përballë një shprese të zbrazur kur flitet për të ardhmen. Edhe filozofi holandez, Spinoza, e kishte paralajmëruar këtë krizë si “kriza e pasioneve të trishta”.
Sipas tij, kriza që po mbërrinte e që ne sot duket se e kemi më përballë se kurrë, nuk ka bazë dhimbjen apo të qarën nga humbjet, por mungesën e kuptimeve. Kjo mungesë e kuptimit për të ardhmen u ka tronditur shumë prindërve dhe mësuesve autoritetin për t’u rrëfyer fëmijëve udhën për nesër. Përballë një situate ku sundon përkohshmëria, shumë prindër rrezikojnë të ndërtojnë me fëmijët e tyre vetëm marrëdhënie komerciale, një marrëdhënie e cila rrezikon gjithnjë e më shumë që të kthehet në një injorim ndaj dijes dhe autoritetit.
Nën sirenat e forta të dëshpërimit që krijon mungesa e kësaj marrëdhënie, të rinjtë gjenden përballë një bote që nuk ka më pika orientimi, e për pasojë, as pika ku ata duhet të ecin vrullshëm për t’u bërë më të përgjegjshëm për atë që duan të arrijnë në jetët e tyre. A nuk jemi ne sot përballë një padije dhe mosinteresimi të thellë që kanë të rinjtë për të shkuarën e gjyshërve, për atë që kanë trashëguar brezat? Padyshim, që një epokë e tillë kërkon një zgjidhje- dhe kjo është rruga e kthimit të forcës që ka dashuria, që kanë marrëdhëniet shoqërore, të cilat më pas krijojnë empatinë për të tjerët, e më pas edhe idenë për të ardhmen.
Kjo është e domosdoshme nëse nuk duam që fëmijët tanë ta shohin të ardhmen si kërcënim, si ngarkesë negative. Për të arritur në zgjimin e shqetësimit për të ardhmen kërkohet që prindërit dhe mësuesit të mos harrojnë fuqinë që ka respekti ndaj vetes, si një motor që ndez vullnetin për t’ia dalë. Frojdi paralajmëronte se “shkolla dhe mësuesit nuk mund të marrin rolin e të pamëshirshmit – një rol që e luan jeta ndaj fëmijët duhen parë edhe me ngurrimin e tyre, edhe me lojën e tyre”.
Ndaj, duhet që prindërit dhe mësuesit të marrin rolin, që të mos ia lënë rrugës të vendosë për identitetin e të rinjve, pasi nëse vendos rruga, do të jetë vetëm mbretëria e dëshirave ajo që do t’i ftojë në këndvështrimin për jetën, për të nesërmen. Por, a mundet që sot shkollat të kujdesen për nxënësit që ata të mos notojnë në një zbrazëti emocionale, në një kulturë pa shpirt?
A debatohet sot se si bashkëpunimi prindër-mësues t’i shpëtojë nga një ambient supereksitues dëshirash – një ndjesi që i dërgon vetëm në botën e argëtimit të pangopshëm, që vetëm kërkon e kërkon të jetë gjithnjë në zbavitje të vazhdueshme? Ekspozimi i tepruar ndaj rrjeteve sociale dhe ndërprerja e komunikimit me të rriturit i ka futur fëmijët nën pushtetin e botës së dëshirave dhe spektaklit, duke i ftuar njëkohësisht edhe në botën e madhe të imitimit, ndërkohë që ne si prindër dhe mësuesit vijojmë të kuptojmë gjithnjë e më pak atë hendek që ndan fjalët tona, tekstet e shkollës dhe “botën jashtë dritares” të fëmijëve.
Filozofi italian, Umberto Galimberti, shkruan në librin e tij “Bujtësi turbullues” se na takon ne prindërve të rrisim komunikimin me fëmijët, që të mos lejojmë komercializimin e marrëdhënieve me ta. Përndryshe, marrëdhënia jonë do të jetë nihiliste dhe jeta e tyre do të jetë e pamotivuar, pasi mungesa e kuptimeve do mundë çdo vullnet dhe shumë prej tyre nuk do kenë asnjë ide për vendmbërritjen e së nesërmes. Ky komunikim është edhe më i domosdoshëm sot qe “qiejt dhe toka” e ideve, e mendimeve, e kufijve, nuk është më ai i dikurshmi, nuk është as mitik e as moral, që mbështetej në trashëgiminë e ideve, që mbështetej te besimi te Krijuesi.
Në mungesë të ideve dhe të besimit, është bota e dëshirave e vetmja muzikë që ndikon në lëvizjet e zemrës dhe këmbëve të të rinjve. Për aq kohë sa ne si prindër e si mësues nuk jemi ndalur e të shohim se si mundet të rikuperojmë marrëdhëniet me fëmijët e sotëm, se si t’i dëgjojmë ata, bota dëshirave dhe e përkohshmërisë do vijojë t’i bëjë homazh çdo ditë vlerave që ne kemi konsideruar se vijnë nga e përhershmja apo që kemi konsideruar si të drejta dhe të moralshme.