Site icon Telegrafi

Keqpërdornin kartelat e bankës dhe vidhnin identitetin, kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve

Foto: Arkiv/Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve B.T. dhe I.V., në drejtim të veprave penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur pa autorizim kartela bankare të llojit Master Card të një sistemi bankar ndërkombëtar, ashtu që kanë realizuar blerje online tek një biznes i Kosovës, duke iu shkaktuar dëm mbajtësve të këtyre kartelave.

Lexo po ashtu Kapen në flagrancë dy persona në Mitrovicë, pranonin gjësende të blera me kartela bankare të huaja

Po ashtu, të pandehurit, me dashje dhe me qëllim të shfrytëzimit pa autorizim ligjor të të dhënave të kartelave bankare të llojit Master Card, përmes aplikacionit “Telegram”, kanë siguruar të dhënat në mënyrë të kundërligjshme dhe më pas të njëjtat i kanë shfrytëzuar për të bërë blerje online nëpër biznese të ndryshme.

Të pandehurit janë ndaluar me aktvendim mbi ndalim të Prokurorit të Shtetit, më 18 korrik 2024. /Telegrafi/

Exit mobile version