Site icon Telegrafi

Këngëtari dhe mjeku Granit Hyseni i bashkohet AAK-së

Dr. Granit Hyseni – stomatolog dhe këngëtar i njohur nga Peja, prej sot i është bashkuar radhëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një ceremoni të veçantë, dr. Granit Hyseni është pritur në selinë qendrore të këtijë subjekti, me ç’rast ka pranuar kartelën e anëtarësisë nga vetë kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

“E kam për nder, nga sot t’i bashkohem këtijë subjekti politik. Rruga nga ka rënë z.Ramush Haradinaj, puna që Dr. Ali Berisha ka bërë si kryetar i Pejës gjatë kohës sa ka qeverisur në qytetin tim dhe puna që sot ky subjekt po e bën në të gjitha nivelet, kanë bërë që unë ta kem për nder rrugëtimin me këtë familje. Edhe pse angazhimet e mia profesionale më bëjnë që të jem anëtar pasiv, kontributi im, si në shëndetësi ashtu edhe në kulturë e art, në të mirë të Pejës, bashkë me AAK-në, nuk do të mungojnë asnjëherë”, tha Dr. Granit Hyseni me këtë rast, transmeton Telegrafi.

Edhe numri një i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur nderin dhe vlerësimet më të larta ndaj gatishmërisë së dr. Granit Hysenit për rrugëtim të përbashkët.

“Sukseset e Dr. Granit Hysenit, nga prizmi i mjekut, por edhe si anëtar i komunitetit artistik, kultura e tij njerëzore dhe familjare tradicionale, janë dëshmi e gatishmërisë se gjërat do të ndryshohen për së mbari. Energjia për ndryshim pozitiv në Pejë, por edhe në tërë Kosovën, e Dr. Granitit i bën nder Aleancës, por në radhë të parë, proceseve pozitive në të mirë të mesit ku jetojmë. Ne në AAK i kemi radhitur para interesave partiake, prioritetet për një jetë më të mirë për secilin qytetarë, në të gjitha sferat, si në shëndetësi, në art, kulturë dhe, bashkimi i doktorit në këtë rrugë është vlerësimi më i saktë se të gjithë ne. Vetëm të bashkuar mund të bëjmë shumë”, tha Haradinaj me këtë rast.

Dr. Granit Hyseni mjek stomatolog, një nga këngëtarët e njohur të brezit të tij, është edhe bartës i funksioneve në oda dhe organizime të ndryshme mjekësore në vend dhe rajon. /Telegrafi/

Exit mobile version