Site icon Telegrafi

KEDS-i u shit 182 milionë euro më lirë

Qeveria e Kosovës ua ka shitur Distribucionin e Energjisë Elektrike investitorëve turq 182 milionë euro më pak se vlera reale që kishte kjo ndërmarrje.

Një studim shkencor, i realizuar nga Florin Aliu, njohës i ekonomisë dhe kandidatë për doktorantë në Çeki në fushën e vlerësimit të kompanive tregon se shitja e KEDS-it nga Qeveria e Kosovës për vetëm 26 milionë euro po del të ketë qenë e pa bazuar në asnjë matje shkencore.

Për më tepër, që në momentin e shitjes nuk ishte prezantuar asnjë studim mbi vlerën reale të kompanisë.

Aliu në studimin e tij “Modelimi i vlerës themelore të një kompanie: Rasti i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike”, ka nxjerrë se vlera reale e kësaj kompanie, në momentin e privatizimit, ka qenë 208 milionë euro.

“Sipas rezultateve të arritura me progresion normal gjeometrik (të kryer për rezultatet e ardhshme 50 vjeçare), vlera themelore e kompanisë qëndron në rangun prej 208 milion euro. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës e shiti kompaninë për 26 milionë euro”, thuhet në këtë punim një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.

Ky punim shkencor mbi shitjen e KEDS-it është i pari i këtij lloji dhe për realizimin e tij sipas Aliut janë përdorur metodat më të avancuara shkencore.

“Në punim i kam përdorur dy metodat aktuale më të avancuara shkencore: DCF (Discounted Cash Floë Method) dhe Monte Carlo Simulation”, shpjegon Aliu për Gazetën Fjala.

Sipas Aliut, kjo metodologji e përdorur është teknikë shkencore e gjithë pranuar në botën akademike për vlerësimet e kompanive.

“Teknikat janë aktuale me marzhë shumë të vogël gabimi. Prandaj do të ishte shumë mirë që qeveria ti bëjë publike metodat që ka përdor në vlerësimin e KEDS-it, në mënyrë që të krahasohen metodat e qeverisë dhe metodat e mia”, thotë ai.

Aliu dyshon nëse Qeveria ka bërë matje shkencore

Ndërkaq, Aliu ka dyshime nëse në momentin e privatizimit Qeveria e Kosovës ka kryer ndonjë matje shkencore mbi vlerën e kompanisë.

Së paku ato matje nuk janë prezantuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës. As kur është privatizuar kompania, e as më vonë.

“Edhe nëse Qeveria ka përdorë ndonjë matje shkencore ato nuk kanë qenë transparente. Në çdo kombinim të mundshëm (edhe ato më pesimiste për kompaninë) vlera e kompanisë nuk mund të binte nën 208 milionë euro. Të gjitha hulumtimet e mëparshme tregojnë së ka pas një mungesë të transparencës në shitjen e kompanisë”, vlerëson Aliu.

Sipas tij, punimi tregon vlerën e brendshme të kompanisë, jo çmimin e tregut, pasi çmimin e tregut e cakton oferta dhe kërkesa.

Megjithatë Aliu pranon se çmimi i kompanisë gjithmonë sillet rreth vlerës së brendshme të kompanisë.

Në secilin rast, Aliu thotë se kompania që u shit për vetëm 26 milionë euro, ka mundur të shitet pa problem 208 milionë euro në kohën e privatizimit.

“Metodologjia njeh limitimet e veta, mirëpo është metodë standarde në vlerësimet e kompanive me pozicion strategjikë në tregje (siç është edhe KEDS-i). Nëse ka mundur të shitet 208 milion euro, varet prej ofertave. Mirëpo vlera e kompanisë është 208 milionë euro. Sipas mendimit tim, kompania ka mundur të shitet 208 milion euro pa problem në kohën e privatizimit”.

Edhe më shqetësues shitjen e KEDS-it për vetëm 26 milionë euro e bën potenciali i madh i kësaj kompanie për fitim.

Kështu sipas studimit, ka dal se për çdo investim të kryer në KEDS, mundësia e kthimit në investim është menjëherë brenda vitit pasues dhe e një shkalle shumë të lartë.

Si shembull studimi ka marr investimin e 1 milionë eurove. Po të investohen këto mjete në KEDS, në bazë të matjeve shkencore ka dal se shkalla e kthimit është 3 mijë e 544 për qind.

“Në këtë rast periudha e rikthimit është më pak se një vit që reflekton nivelin e përfitimit të kompanisë KEDS. Shkalla e brendshme e kthimit është 3,544 për qind, në rast se investoni një milion euro dhe bëheni pjesë e strukturës së pronësisë së kompanisë”, thuhet aty.

Sipas studimit, rezultatet e arritura (me progresion normal gjeometrik) që vlen për periudhën e ardhshme 50 vjeçare, e nxjerrin se vlera themelore e kompanisë qëndron në rangun prej 208 milion euro.

“Nën Monte Carlo Simulation brenda periudhës dhjetëvjeçare, dallimi në vlerën themelore dhe çmimi i shitur qëndron në rangun prej 130 milion euro. Duke njohur kufizimet në metodologji, vlera themelore e kompanisë me Simulimin Monte Carlo me 1000 mostra në intervalin prej dhjetë vjetësh qëndron në nivelin prej 162 milion euro”, thuhet në studim.

Përkundër kësaj, në studim thuhet se “Qeveria e Kosovës e shiti kompaninë për vetëm 26 milionë euro”.

Po ashtu, Qeveria nuk ishte transparente në shitjen e kompanisë, pasi vlera e brendshme nuk u njoftua para se të ndodhte privatizimi.

“Përballë këtyre argumenteve, puna jonë arrin në përfundimin se kompania ishte nënvlerësuar në momentin e privatizimit”, përfundon studimi. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version