Tetë persona kanë kërkuar tretman mjekësor në emergjencën e Spitalit të Pejës, për shkak të zjarrit të madh në depot dhe qendrën tregtare ELKOS Center në Pejë.
Kështu kanë bërë të ditur nga Spitali i Pejës përmes një statusi në rrjetin social në Facebook.
Sipas njoftimit, pacientët janë duke u trajtuar dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi.
“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë deri më tani janë duke u trajtuar 8 pacientë nga rasti i djegies së një objekti në Pejë.
Pacientët janë duke u trajtuar tek Spitali ynë dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi”, thuhet në njoftim
Ndërsa në një prononcim për Telegrafin doktori i emergjencës Besnik Ibraj, fillimisht tha se katër persona kanë kërkuar tratman mjekësor pasi janë helmuar nga dioksidi i karbonit, për shkak të zjarrit të madh.
Ai tha se gjendja e tyre për momentin është stabile.
“Katër persona janë të helmuar nga dioksidi i karbonit, gjendja e tyre është stabile për momentin”, ka thënë Ibraj.
Ndërkaq, Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të ditur për Telegrafin se ende po vazhdojnë të jenë në flakët e mëdha të zjarrit depot dhe qendra tregtare ELKOS Center në Pejë.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Sipas tij, në fillim janë përfshi nga flakët e zjarrit depot, më vonë edhe qendra tregtare ELKOS Center në Pejë.