Site icon Telegrafi

“Katastrofë me përmasa epike”: Shtatë të vdekur në Evropë mes përmbytjeve të mëdha

Shtatë persona janë mbytur në Austri, Poloni dhe Rumani dhe katër të tjerë janë zhdukur në Republikën Çeke pasi stuhia Boris vazhdon të godasë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke sjellë shi të rrëmbyeshëm dhe përmbytje që kanë detyruar evakuimin e mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre.

Një pjesë e Austrisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë janë goditur nga erërat e forta dhe shirat jashtëzakonisht të ashpra që nga e enjtja.

Zëvendëskancelari i Austrisë, Werner Kogler, ka njoftuar se një zjarrfikës kishte vdekur duke luftuar përmbytjet në Austrinë e Poshtme, pasi autoritetet e shpallën provincën, e cila rrethon kryeqytetin, një zonë katastrofe.

Disa zona të Tirolit u mbuluan me deri në një metër borë – një situatë e jashtëzakonshme për mesin e shtatorit, i cili pa temperatura deri në 30 gradë Celsius javën e kaluar.

Shërbimet hekurudhore u pezulluan në lindje të vendit dhe disa linja metroje u mbyllën në Vjenë, ku lumi Wien po kërcënonte të dilte nga brigjet e tij.

Bëhet e ditur se shërbimet e urgjencës bënë afro 5,000 ndërhyrje gjatë natës në Austrinë e Poshtme, ku përmbytjet kishin bllokuar shumë banorë në shtëpitë e tyre.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë rreth 150 herë në Vjenë për të pastruar rrugët e bllokuara nga mbeturinat e stuhisë dhe për të pompuar ujin nga bodrumet, raportojnë mediat lokale.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se një person në rajonin Klodzko ishte mbytur.

Tusk po udhëtonte nëpër jugperëndim të vendit, i cili është goditur më rëndë nga përmbytjet, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Raportohet se rreth 1,600 njerëz janë evakuuar në Klodzko dhe autoritetet polake kanë thirrur ushtrinë për të mbështetur zjarrfikësit në vendngjarje.

“Situata është shumë dramatike”, tha Tusk pas një takimi në Klodzko, i cili ishte pjesërisht nën ujë pasi lumi lokal u ngrit në 6.7 metra – shumë mbi nivelin e alarmit prej 2.4 metra.

Kjo tejkaloi një rekord të vendosur gjatë përmbytjeve të mëdha në vitin 1997, të cilat dëmtuan pjesërisht qytetin dhe morën 56 jetë.

Autoritetet polake mbyllën pikën kufitare Gołkowice me Republikën Çeke pasi një lum përmbyti brigjet e tij, si dhe mbylli disa rrugë dhe ndaloi trenat në linjën që lidh qytetet Prudnik dhe Nysa.

Në Budapest, zyrtarët ngritën alarm për rritjen e Danubit, ndërsa shiu vazhdoi në Hungari, Sllovaki dhe Austri.

“Sipas parashikimeve, një nga përmbytjet më të mëdha të viteve të kaluara po i afrohet Budapestit, por ne jemi të përgatitur ta trajtojmë atë”, tha kryetari i bashkisë së Budapestit, Gergely Karacsony.

Ndërkohë, policia në Republikën Çeke tha se katër persona janë zhdukur.

Në një mesazh në rrjete sociale, policia çeke u bëri thirrje njerëzve që t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimeve të evakuimit, duke shtuar: “Policia dhe zjarrfikësit e dinë se çfarë po bëjnë dhe pse po e bëjnë. Situata po ndryshon shpejt dhe ne nuk mund të jemi kudo menjëherë. Brenda pak çastesh, e vetmja rrugëdalje mund të ishte me helikopter”.

Pesë persona kanë vdekur nga përmbytjet në Rumaninë juglindore gjatë dy ditëve të fundit.

Në rajonin më të prekur, Galati në juglindje, u dëmtuan 5000 shtëpi.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha: “Ne po përballemi përsëri me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në kontinentin evropian, me pasoja dramatike”.

Qindra njerëz janë shpëtuar në 19 pjesë të vendit, thanë shërbimet e urgjencës, duke publikuar një video të shtëpive të përmbytura në një fshat buzë Danubit.

“Kjo është një katastrofë me përmasa epike”, tha Emil Dragomir, kryebashkiaku i Slobozia Conachi, një fshat në Galati ku thuhet se ishin përmbytur 700 shtëpi.

Ndryshe, Sllovakia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Bratislavë.

Shirat e dendur pritet të vazhdojnë të paktën deri të hënën në Republikën Çeke dhe Poloni. /Telegrafi/

Exit mobile version