Në vazhdën e intervistave me politikanë për zgjedhjet presidenciale, Telegrafi Maqedoni ka folur me Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës dhe Lëvizjes Besa i cili mes tjerash thotë se Arben Taravari, kandidati i opozitës për president, do të fitojë me “epërsi të madhe kundër Bujar Osmanit dhe atë mbi 10 mijë vota”
Çfarë rezultati prisni mes Taravarit dhe kundërkandidatit Osmani në zgjedhjet presidenciale?
Sipas asaj që shohim për çdo ditë në terren, nga takimet me qytetarët, nga tubimet e koalicionit VLEN, nuk ka dyshim se z. Arben Taravari do të jetë në epërsi të madhe kundër Bujar Osmanit dhe atë mbi 10 mijë vota. Tashmë qytetarët e kanë të qartë se cilat janë bindjet ideologjike dhe qëllimet e doktor Arben Taravarit, i cili edhe si kryetar i Komunës së Gostivarit por edhe si kryetar i ASH-së, gjithmon ka punuar në favor të qytetarëve, e për insteresat e shqiptarëve. Përkundër veprimeve të tij politike të cilat më shumë janë në shërbim të Serbisë e në dëm të të gjithë shqiptarëve. Kjo po dëshmohet çdo ditë.
Po tek pala maqedone, mes kandidatëve Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska?
Për ne si VLEN aspak nuk ka rëndësi se kush do të fitojë tek pala Maqedonase. Për ne është me rëndësi që Qeveria e ardhshme por edhe presidenti i ardhshëm i vendit, prioritet t’i ketë qytetarët dhe politikat euro integruese të vendit.
Për karrierën tuaj, sa është e rëndësishme fitorja e VLEN në këto zgjedhje?
Fitorja e VLEN nuk është e rëndësishme për karrierën time personale, por është e rëndësishme për mirëqenien e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Aspak nuk ka rëndësi karriera ime sa është e rëndësishme që ata të cilët deri më tani e kanë marrë besimin e qytetarëve, e kanë shkelur atë me të dy këmbët, e në vend që të ndërtojnë shkolla, ata ngritën kazino, në vend që të ndërtojnë sistem efikas të drejtësisë, ata e politizuan gjyqësorin i cili po i fal të gjithë kriminelët që vjedhin shtetitn, madje edhe pronarët e kompanive që si Durmo Turs dhe Besa Trans, kompanitë e papërgjegjshme të të cilëve, vranë dhe dogjën për së gjalli gati 100 qytetarë. Pra fitorja e VLEN do të jetë dënim për ata që krijojnë politika me të cilat qytetarët dhe intelektualët e rinj i dëbojnë jashtë shtetit, ndërsa familjarët e ministrave dhe liderëve të pushtetit bëhen multimilionerë brenda natës. Si dhe shumë keqpërdorime të tjera. Pra fitorja e VLEN është me rëndësi për të ardhmen e mirë të gjithë qytetarëve të vendit, e posaçërisht për shqiptarët.
Kur jemi te karriera juaj, kur mendoni se do të largoheni nga politika?
Atëherë kur qytetarët do të vlerësojnë se si politikan nuk mund të japim më asgjë për shoqërinë. Unë nuk jam as egoist dhe as egocentrik. Kështu që në politikë do të jem deri atëherë kur qytetarët do ta vlerësojnë punën time, e cila për momentin është tepër evidente, sidomos në Komunën e Tetovës. Ju vet jeni dëshmitar se si ishte Tetova para 3 viteve dhe si ndërtohet e zhvillohet tani. Tani në Tetovë nuk është problem uji i pijshëm, nuk janë problem deponitë, nuk janë problem rrugët me gropa e pa asfalt. E gjithë kjo vetëm prë tre vite, derisa të tjerët nuk arritën ta bëjnë për 20 vite. E tani jemi në fazën kur prishim gjërat e vjetra e jofunksionale dhe ndërtojmë të reja dhe moderne, siç është rasti më i fundit me Stadiumin e qytetit të Tetovës. E ky zhvillim nuk do të ketë të ndalur edhe për një kohë shumë të gjatë.
Na tregoni momentin më të mirë në jetën personale dhe politike?
Lindja e vajzës dhe fitorja e Tetovës
Po momenti më i keq?
Deformimi i vullnetit të popullit në vitin 2017, ku nëpërmjet mekanizmave politike u vjodh fitorja e Tetovës dhe vazhdoi kaosi i Tetovës.
Nëse do të shkruanit një libër për karrierën tuaj politike, si do ta titullonit?
Besa dhe politika.
Nëse do të kishe mundësi të takoje Bilallin e para 20 viteve, si do të ja përshkruanit me një fjali këtë rrugëtim tuajin deri tani?
Nëse në jetë ke qëllime të pastra sidomos ndaj popullit tënd, vazhdo pa u ndalur, pavarësisht gjykimeve dhe mos iu nënshtrohesh sfidave, pengesave, sulmeve. Por të gjitha këto merri si një infuzion shtesë për tu bërë më i fortë e për të arritur sa më fuqishëm cakun dhe sukseset për të cilat populli yt ka nevojë.
Nëse do të ishte dhënë mundësia të jeni kryeministër në Maqedoni në qeverinë e ardhshme, cilat do të ishin tre gjërat që do t’i ndryshonit në 100 ditët e para?
Vetingu në gjyqësor, mbyllja e kazinove dhe rritja e buxhetit për zhvillimin e arsimit.
Me LSDM apo me OBRM-PDUKM-në në qeverinë e ardhshme? Cilën do ta preferonit si partner koalicioni?
Me atë e cila do të pranojë programën dhe vizionin e VLEN-it për të ardhmen e sigurt europiane të vendit tonë.
*Telegrafi Maqedoni gjatë fushatës do të vazhdojë të realizojë intervista me kandidatët për presidentë dhe politikanë tjerë në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe kuvendare. /Telegrafi/