Policia e shtetit bën të ditur se ka arrestuar një person, A.P, 31 vjeç në Tiranë, në automjetin e së cilit janë sekuestruar 41 kilogramë substanca narkotike, që dyshohet të jetë heroinë.
Në njoftimin e Piolicisë thuhet se edhe bashkëpunëtori i tij, R.G është në kërkim.
“Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se një sasi e madhe lënde narkotike heroinë po transportohej me një automjet tip ‘Benz’, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Fusha e kuqe’.
Si rezultat i këtij megaoperacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P, 31 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi R. G., banues në Sukth”, thuhet në njoftim.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij, pasi kanë vijuar ndjekjen, në afërsi të rrethrrotullimit të aeroportit, kanë bërë ndalimin e automjetit të dyshuar.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjet në bagazh një kuti me 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës.
Nga specialistët për hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/