O njerëz!
Zgjidhni rrugën e jetës, zgjidhni rrugën e dashurisë njerëzore, të shpresës.
Zgjidhni rrugën e besimit tek e nesërmja, zgjidhni rrugën e së mirës.
Ju përket juve e vetëm juve ta zgjidhni – Leo Bascagli
Nga: Fran Gjoka
Gjakmarrja është një fenomen mjaft i përhapur po aq sa edhe i përfolur, sidomos në zonën e veriut. Shumë studime janë realizuar lidhur me këtë fenomen negativ, shumë analiza janë bërë dhe shumë statistika janë hartuar, megjithatë ende nuk janë ofruar alternativa për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj plagë shumëvjeçare të shoqërisë sonë.
Gjakmarrja është fenomen tipik i shoqërive njerëzore ku ligji nuk ka forcë ose shteti nuk e quan përgjegjësi të vetën shuarjen e konflikteve të tilla. Në jetëgjatësinë e këtij fenomeni nuk ka ndikuar vetëm pasiviteti i organizmave shtetërore, por edhe mungesa e ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare, mbi të gjitha të zonave veriore ku rëndom zbatohet Kanuni, por këto ligje të vjetra kanunore janë vetëm mbetje të pavlefshme të një mentaliteti shekullor. Kanuni është ai që i ka dhënë jetë dhe e ka ushqyer gjakmarrjen ndër vite. Ky është një slogan mbi të cilin njerëzit nuk duan të thellohen shumë dhe shumica në thelb nuk e njohin dhe nuk e zbatojnë atë, por flasin dhe veprojnë sipas ligjeve kanunore. Në pamje të parë, Kanuni aq i përfolshëm, aq i egër dhe aktualisht aq i zhvlerësuar në hijeshinë e tij shekullore, ka nisur të funksionojë si meritë e një mendjemprehtësie të lashtë. Kanuni, fatkeqësisht, në vend që të vlerësohet si trashëgimi kulturore, ai urrehet dhe zbatohet sipas interesave personale. Në vend që të ruhet si një pasuri e kombit shqiptar, e cila ka pasur një rol specifik dhe të rëndësishëm në funksionim e shoqërive të disa shekujve më parë, përdoret akoma edhe sot në shekullin XXI. Ndërkohë që me qindra të ngujuar presin ditën e shpagimit dhe ditën e ekzekutimit, as shteti as shoqëria nuk kanë gjetur asnjë rrugëdalje për të kapërcyer këtë dramë që po mban peng mijëra banorë të vendit tonë. Qindra fëmijë jo vetëm nuk kanë mundësi të ndjekin shkollat, por rrezikojnë të mbesin me pasoja të rënda psikologjike për jetën.
Gjakmarrja e sotme shqiptare jo vetëm shkatërron aktualisht mijëra jetë, por psikologjikisht ka shkatërruar peizazhin e traditës, duke krijuar në mendjen e njerëzve humnera të shumta tradicionale dhe kulturore. Si të gjithë edhe unë kam dëgjuar në përgjithësi për këtë fenomen dhe ndjeshmëria ime nuk ka qenë aq e fortë sa është dhe vazhdon të jetë tani. Vazhdimisht kam dëgjuar të flitet për fëmijë të ngujuar, prindër të privuar nga të drejtat themelore të njeriut, nga e drejta për të qenë të lirë, e megjithatë nuk kam mundur ta kuptoj realisht ndikimin shumë të fuqishëm të këtij problemi aq të prekshëm në vendin tonë. Vetëm pasi kam qenë pjesë aktive e shumë projekteve në favor të familjeve të ngujuara, vetëm pasi kam qenë një njohës i drejtpërdrejtë i individëve, të cilët janë pjesë e kësaj fatkeqësie, vetëm pasi kam parë dhimbjen e të mohuarit të të drejtës për të jetuar, arrita të kuptoj se sa thellë qëndron problematika e këtij fenomeni në jetën tonë. Kanuni nuk është film, por realitet i egër e dëshpërues.
Kam parë mënyrën se si jetojnë familje të ngujuara, kam dëgjuar rrëfimet e tyre të sinqerta, të dëshpëruara, rrëfime nga prindërit, rrëfime nga fëmijët, të cilët me lotët në sy, me pafajësinë e tyre dhe me shpresën që një ditë çdo gjë të jetë ndryshe, duke besuar tek shteti dhe tek shoqëria të mund të gëzojnë të drejta të njëjta me bashkëmoshatarët e tyre. Të dëgjosh të flitet për gjakmarrjen dhe të jesh njohës aktiv, ndërhyrës i drejtpërdrejtë në ketë plagë të shoqërisë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Fakti që kam marrë pjesë në shumë tryeza të rrumbullakëta, takime, diskutime dhe trajnime të ndryshme, në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, kam marrë pjesë në projekte të hartuara më ndihmën e tyre, më ka bërë shumë më të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni. Shumë është abuzuar me termin dhe përhapjen e fenomenit të gjakmarrjes, aq sa njerëzit ndoshta janë lodhur së dëgjuari, por unë mendoj se asnjëherë nuk është e tepërt të trajtohet dhe analizohet kjo problematike, po ashtu asnjëherë nuk është vonë për të ndërmarrë hapa konkrete në zgjidhjen e këtij fenomeni shqetësues.
Duke iu referuar pasojave negative të këtij fenomeni, mbi të gjitha atyre psikologjike, duhet të theksojmë rolin e rëndësishëm që ka punonjësi social në mbështetjen morale dhe psikologjike ndaj tyre. Jam i mendimit se sa më shumë të përflitet, të shqyrtohet dhe të diskutohet në median e shkruar dhe vizive, në takime dhe në konferenca ky problem, aq më tepër shoqëria do të ndërgjegjësohet dhe do të bëhet më e ndjeshme kundrejt kësaj plage të rëndë të shoqërisë dhe do të jenë më të motivuar për të ndërmarrë hapa konkret.
Gjakmarrja, në konceptin e ngushtë, është trajtuar si një hakmarrje “gjak për gjak” midis dy familjesh, apo dy personash, ku të afërmit e viktimës përpiqen te hakmerren për vrasjen e tij, duke vrarë autorin apo dikë nga familja e tij. Një familje e tërë mban përgjegjësi për veprimin e cilitdo anëtar të saj. Edhe studiuesja e njohur Edith Durham, gjatë udhëtimit nëpër Shqipërinë e Veriut, e ka vënë re këtë fenomen të tmerrshëm antinjerëzore, por që zbatohej nën trysninë e disa ligjeve kanunore të hekurta, shpesh edhe krahinore. Madje ajo kishte takuar edhe dy gjaksorë të cilët sapo kishin marrë gjakun. Ja si shkruan për njërin prej tyre: … Ishte një djalosh i gjatë, zeshkan, që dukej ende fëmijë. I heshtur dhe i tronditur, dukej sikur e kishte vënë poshtë fati … E, fati i tij tashmë dihej. Por, duhet ditur se në periudhën kur shkruan studiuesja e njohur, vërtet kishte hakmarrje, por të gjitha veprimet bazoheshin në Kanun, asgjë jashtë kodeve zakonore. Për këtë mjafton të citojmë momente nga kujtimet e saj: … në Kanunin e Lekë Dukagjinit ka rregulla, të cilave u duhet bindur. Sipas tij, edhe burri, i cili ka gjak borxh, në rrethana të caktuara, nuk mund të vritej.
Ai që ka gjak dhe ai që detyrohet të paguajë gjak bëjnë një armëpushim, mund të betohen për paqe gjersa të mblidhen të korrat ose në rast lufte. Ja pra, që në rrethana të caktuara kuvendi është i detyruar. Ja një fakt tjetër nga e njëjta autore: … Një natë e kalova në shtëpinë e njërit që ishte në gjak. Vëllezërit, të cilët na pritën, dolën dhe bërtitën në të katër anët: Kemi miq! … pas kësaj u kthyen për të festuar në siguri një mbrëmje të qetë. Edhe pse shumë aspekte të hakmarrjes ngjajnë me konceptin e drejtësisë, hakmarrja ka një fokus më të padrejtë dhe ndëshkues në krahasim më të. Ndërsa drejtësia në përgjithësi nënkupton veprimet e ndërmarra dhe të mbështetura nga një sistem i etikes, ose në emër të etikës së shumicës. Hakmarrja në përgjithësi nënkupton veprimet të ndërmarra nga një individ ose grup i ngushtë personash, jashtë kufijve të sjelljes gjyqësore ose etike njerëzore. Fenomeni i të miturve “të ngujuar”, apo thënë ndryshe në gjuhën letrare “të mbyllur në shtëpi”, është i gjerë dhe i ndryshëm dhe mbi të gjitha nuk mund të analizohet i vetëm, sepse ai bën pjesë në një sistem shoqërorë të vjetër që akoma sot mbijeton në Shqipëri. Nuk mjafton që të hysh në realitetin e qindrave fëmijëve të mbyllur brenda katër mureve pa ndjerë ndërgjegjen tënde të rebelohet, siç ndodh shpesh me ne shqiptarët. Duhet të hysh brenda problemit, ta përjetosh atë me të gjithë kompleksitetin që ai paraqet dhe të ndërgjegjësohemi, duhet të nisemi nga kanuni për t’u orientuar në reflektimin tonë, jo me një përçarje të tipit juridik, por duke u përpjekur të kuptojmë, para se të gjithash, se çfarë është ajo që e bën këtë “kod” të vjetër me shekuj, diçka aq të rëndësishme, nga e cila s’mund të heqin dorë shqiptarët.
Nëse merr iniciativën humane të vizitosh një familje të ngujuar, do të konstatosh se ajo jeton në kushte të papërballueshme për jetën, duke u ballafaquar me mungesa të shumta të karakterit ekonomik, shëndetësor, edukativ etj. Më të prekurit në këtë rast padyshim janë gratë dhe fëmijët, si pjesa më e pambrojtur e shoqërisë sonë. Gratë në familjet e ngujuara nga gjakmarrja janë viktimat e vërteta të saj. Ato, megjithëse janë “të lira”, pasi zakoni dhe kanuni nuk lejon vrasjen e tyre për gjakmarrje, janë pjesë më e persekutuar dhe e dhunuar e familjes. Ato duhet të kryejnë të gjitha punët e shtëpisë në mungesë të burrave, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur. Po ashtu edhe fëmijët, sidomos ata meshkuj, janë një tjetër viktimë e dhimbshme e gjakmarrjes. Ata duhet të jetojnë plotësisht të izoluar në shtëpitë e ngujuara, gjë që do të thotë të mos shkojnë në shkollë, të mos luajnë me moshatarët e tyre, të mos argëtohen. Rriten me psikozën se ata duhet të mbrojnë familjen, duhet ta mbrojnë nderin e saj, duhet të vrasin të tjerët për gjakmarrje dhe duhet të vriten edhe vetë. Në këto kushte fëmijët rriten të varfër, të pashkolluar të egër dhe hakmarrës.
Një fëmijë 11-vjeçar, i quajtur Nikolin, i intervistuar nga BBC-ja, familja e të cilit ka qenë në grindje me një tjetër për 30 vjetët e fundit, thotë se ai ka ëndërr që një ditë të shkoje në shkollë. Unë e imagjinoj se është një vend i bukur, me libra, karrige, dhe një dërrasë të zezë. E imagjinoj shkollën të mbushur me fëmijë të tjerë të moshës sime që mësojnë, luajnë dhe këndojnë … Dhe, pas këtyre meditimeve nga brenda qenies së gjithkujt thërret protesta? Po gratë dhe fëmijët, ç‘faje kanë? Po kjo shoqëria jonë që traumatizohet dhe therorizohet nga lajmet e faqeve të para të gazetave dhe lajmet e televizioneve, çfarë faji ka?
Spektri i problemeve sociale shqetësuese për shoqërinë shqiptare sot është mjaft i gjerë, por ajo që është bërë një plagë e rëndë, jo vetëm për veriun e Shqipërisë dhe po merr jetë njerëzish të pafajshëm është gjakmarrja dhe ngujimi i fëmijëve nga krimi i saj. Gjakmarrja, ky fenomen i ndaluar me dhunë nga regjimi komunist, por që arriti të rishfaqej hapur në periudhën e tranzicionit, kryesisht për rrjedhojë të shpërthimit të depove të armatimit gjatë trazirave të vitit 1997, armatosjes së popullatës dhe mangësive në legjislacionin shqiptar, solli për pasoja edhe zgjidhjen e konflikteve në vetëgjyqësi. Pra, secili duhet të gjejë veten në nenet e këtij kodi shoqëror në kushtet e mungesës së gjithë strukturave qeveritare dhe shtetërore. Shqiptarët të përkulur vite me radhë nën thundrën e sistemit diktatorial, vërtetuan se kishin humbur nocionet “besë”, “fe” dhe “zakon”. Ndryshe s’ka si të ndodhte që në një gazetë të fundvitit 1998 të shkruhej me shkronja të mëdha: … Në veri 764 familje janë në gjak dhe mbi 1120 janë të ngujuara në kulla. Kjo është një dobësi e strukturave shtetërore, sepse atje ku nuk vepron ligji, duhet të veprojë Kanuni e atje ku nuk vepron Kanuni dhe as ligji, vepron anarkia. Deri kur kështu?
Fenomene të tilla ndodhën edhe në qarkun e Lezhës e më gjerë. Pati vrasje, hakmarrje të vjetra e të reja, grindje, zënie e ngatërresa. Karakteri i tyre ishte i ndryshëm. Shumë vrasje u bënë për hakmarrje, por pati edhe për çështje pronësie, çështje nderi dhe zënie të rastit ose, siç thuhet sot, “motive të dobëta”. Kështu, mjaft individë nuk patën parasysh as rregullat më elementare të Kanunit. Shumica e atyre që vrasin, Kanunin e konsiderojnë si kompleks rregullash, ku thuhet se “po vrave, të vrasin”, pa marrë parasysh pasojat e tjera që vijnë më pas si djegien e shtëpisë, dëbimin nga fshati, gjobat e ndryshme dhe në varësi të aktit të kryer mund edhe të … falesh. Por, në të vërtetë, gjatë kësaj periudhe Kanuni u përdor gabimisht si sfond nxitës për të marrë gjakun.
Ky krim i shëmtuar ka prekur tashmë rrethin apo prefekturën e Shkodrës, zonën veriore të vendit dhe që nuk ka masë gjykimi kur arrin të ndalet edhe tek fëmijët apo gratë, duke shkelur rëndë parimet bazë të Kanunit. Çfarë janë këto doke dhe zakone mesjetare që po qeverisin shoqërinë shqiptare sot, sidomos në veri, në mënyrë barbare, ku ndihet zgjedha e tyre e rëndë antishoqërore mesjetare. Ato po pengojnë e dëmtojnë rëndë shoqërinë tonë të eci në rrugën e demokracisë, prandaj puna për parandalimin e krimit është një detyrë e mprehtë dhe aktuale e shoqërisë civile, e ligjit dhe e shtetit. Familjet, kur përballen me problemin e ngujimit, tentojnë të fshihen dhe të mos shfaqen përpara autoriteteve shtetërore apo përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme humanitare. Ato shpesh i ndërrojnë vendbanimet e tyre dhe nuk e tregojnë vendndodhjen e re, nuk i regjistrojnë fëmijët në shkolla etj. Ky fakt e bën më të komplikuar evidentimin e tyre dhe shpesh të pamundur nxjerrjen e të dhënave të sakta. Të dhënat dhe shifrat e nxjerra nga organet shtetërore apo nga organizatat e interesuara për këtë problem shpesh mund të fryhen apo zvogëlohen për qëllime të ndryshme.
Zgjidhja e konflikteve kërkon një shqyrtim kritik të alternativave të ndryshme dhe të mundshme si dhe një angazhim me veprime konkrete të njerëzve, shoqërisë apo dhe shtetit. Në se përpjekjet dhe përkushtimi i atyre njerëzve që merren me pajtim dhe shuarjen e konflikteve bazohen në njohuri dhe vlera, atëherë mund të themi se ata përfshihen në një veprim shoqëror të dëshirueshëm dhe rezultatet mund të jenë të pritshme. Në këtë mënyrë, e gjithë kjo shënon një rrugë të suksesshme drejt rritjes së vlerave pozitive të personalitetit të këtyre njerëzve, e cila pastaj do të përdoret për pajtim dhe ndërmjetësim. Sa nevojë kemi për Anton Çettën? Na duhet shumë sot ai njeri me shpirt të madh dhe human. Ky popull ka nevojë për shumë Anton Çetta. Ata na duhen në shtëpi, në fis, në rrugë, në fshat, në lagje, në qytet, në krahinë…
Gjendja aktuale shoqërore në veri dhe ne jug të Shqipërisë është sot shqetësuese dhe akoma nuk duket se po gjendet një zgjidhje efikase, ose më mirë akoma nuk duket se po bëhen përpjekje serioze dhe konkrete. Kantidatët për kryetar bashkie u vardallisën në tërë Shqipërinë dhe në programin e tyre nuk u shkoi ndërmend lufta ndaj gjakmarrjes. E gjitha kjo situatë vjen si pasojë e pushtetit akoma të fuqishëm të Kanunit, i cili në mënyrë të pakuptueshme vazhdon të keqinterpretohet, duke i dhënë jetë gjakmarrjes. Vlerën dhe pushtetin e kanunit e kanë rritur dhe mbajtur gjallë edhe disa faktorë të ndryshëm, sidomos roli indiferent i vetë shtetit shqiptar. Mungesa e pushtetit të ligjit ka qenë një ndër arsyet kryesore që lejuan rikthimin e rregullave të vjetra kanunore. Kanuni i riardhur në këto zona më tepër ndikon negativisht se sa po rregullon marrëdhëniet shoqërore.
Shoqata të ndryshme janë përpjekur që nëpërmjet veprimtarive sensibilizuese të bindin shqiptarët se konfliktet zgjidhen nga shteti dhe se nuk është çështje vetëm e tyre, kështu që duhet të besojnë në fuqinë e ligjit të shtetit dhe duhet të pranojnë format e tij të zgjidhjes, të besojmë në drejtësinë e tij. Meqë shteti ka dështuar në të shumtën e rasteve në zbatimin e kodit penal dhe shqiptarët e kanë të vështirë të lejojnë padrejtësitë dhe hakmarrjen, e shohin si zgjidhjen me efikase zbatimin e normave zakonore. Pavarësisht numrit të madh të pajtimeve nga misionet e pajtimit që veprojnë në disa zona, numri i ngujimeve vjen gjithmonë në rritje dhe akoma nuk shihet diçka konkrete. Pasojat e ngujimit nuk janë vetëm ekonomike, por edhe psikologjike dhe populli shqiptar do të vuajë plagët e saj ndoshta për shumë kohë.
Sa fëmije mbesin analfabetë, sa jetë këputen në mes e sa njerëz bëjnë sikur asgjë nuk ndodh? Fenomeni i të “të ngujuarit” përbën një nga problemet kyç të Shqipërisë, por që çuditërisht shteti ynë po bën veshin e shurdhër dhe gjithçka mbetet në dorën e shoqatave dhe organizatave joqeveritare humanitare. Lind pyetja: A janë kontributet e tyre të mjaftueshme? Njohja e gjendjes aktuale të vrasjeve të ndodhura, të familjeve të ngujuara, problemeve psikosociale apo ekonomike të tyre e bën më të dobishëm dhe të pazëvendësueshëm rolin e punonjësit social. Megjithatë, punonjësi social nuk mund të punojë vetëm, prandaj duhet para së gjithash ndërhyrja e shtetit shqiptar në zgjidhjen e kësaj çështje. Shoqatat dhe organizatat vazhdojnë të bëjnë përpjekjet e tyre, por nuk mjaftojnë.
Statistikat tregojnë se numri i familjeve të ngujuara, numri i vrasjeve të kryera në emër të gjakmarrjes, numri i fëmijëve që nuk ndjekin shkollën po vjen gjithnjë duke u rritur. Kjo është frikësuese, por në të njëjtën kohë dhe paralajmëruese për masat imediate që duhet të merren në të ardhmen. Populli shqiptar duhet të mobilizojë gjithë potencialin fizik e mendor dhe intelektual për ndalimin e gjakderdhjes, kësaj epidemie që vjen nga thellësitë e shekujve për të sfiduar kulturën dhe qytetërimin tonë të sotëm si shtet evropian. Partitë, organizatat e shoqatat duhet të udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe bazamenti i këtyre interesave, padyshim është forcimi i unitetit kombëtar. Vallë a mund të ketë unitet dhe bashkim, kur ne shqiptarët nuk jemi tolerantë e për rrjedhojë vrasim njëri-tjetrin? Rinia shqiptare, pjesa më vitale e kombit tonë, gjaku i së cilës është tepër i çmuar, duhet mësuar që t’i ruajë armët për të mbrojtur trojet e të parëve dhe jo për të mbjellë hakmarrjen. Kërkoni dashuri dhe do ta gjeni. Arma më e fuqishme në shoqërinë tonë të sotme është dashuria.
Ne shqiptarët nuk kemi qenë e as nuk jemi barbarë. Bota i njohu paraardhësit tanë, si burra të besës e bujarisë. Duhet të jemi trashëgimtarë të denjë të tyre. Kurse, qeveritarët, parlamentarët, institucionet dhe njerëzit e ligjit “s`duhet të lajnë duart si Pilati”. Sepse, duket se ata po mendojnë më shumë për rogat e tyre, sesa për shqiptarët që po vriten rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë apo që po marrin rrugën drejt arratisë.