Site icon Telegrafi

Kanadaja e Kosova mund ta rrisin bashkëpunimin ekonomik

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka përmbyllur vizitën e tij në Kanada, me një vizitë me Guvernatorin e Përgjithshëm David Johnston, me te cilin ka diskutuar për mundësit e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve në fusha të ndryshme.

Postimi i presidentit në Facebook.

“Vizitën në Kanada e përmbylla me takimin me homologun kanadez, Guvernatorin e Përgjithshëm, Shkëlqesinë e tij, David Johnston. Diskutuam gjerë e gjatë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kanadasë, për mundësitë e përbashkëta të rritjes së bashkëpunimit në fushat strategjike të ekonomisë, si energjia, minierat, kërkimi i arit dhe bujqësia.

Guvernatorin Johnston e njoftova për interesimin konkret të kompanive kanadeze për të investuar në Kosovë dhe për nevojën për të shtyrë përpara një agjendë dinamike bashkëpunimi ekonomiko-tregtare.

Shkëlqesinë e tij e falënderova për mikpritjen kanadeze në ditët më të vështira dhe për përkrahjen e parezervë të qeverisë dhe popullit kanadez për të mbështetur Kosovën në vizionin e saj për të qenë anëtare e barabartë e komunitetit ndërkombëtar të shteteve.

Guvernatorin Johnston e ftova për të vizituar Kosovën dhe për të parë nga afër të arriturat e vendit tonë, si dhe për t’i dhënë shtytje projekteve tona të përbashkëta dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Kanadasë.

Takimin e përfunduam me përshtypjet më të mira për vlerat e përbashkëta që ndajmë dhe u sigurova nga miku ynë se Kanadaja do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Kosovës në rrugëtimin vizionar drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar Presidenti Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version