Amra Hyseni, e lindur dhe e rritur në Zvicër, me origjinë shqiptare, tanimë është kampione e botës në karate.
Sportistja 14-vjeçare tregon se si kishte lënduar dorën në një incident me një shok klase dhe i është dashur të pauzojë gjashtë muaj nga ushtrimi në karate.
“Po unë e kam pas një lëndim shumë të madh, u kanë te dora, pastaj unë e kam lanë gjashtë muaj karatenë dhe më është dashur të shkoj në operim i cili ka zgjatë dy orë”, ka thënë Hyseni.
Pasioni që Hyseni ka për karatenë, bëri që ajo sot të jetë kampione e botës në këtë sport. Ajo tregon se si shkonte vetëm të shikonte të tjerët duke ushtruar, gjatë kohës sa ishte e lënduar.
“Kur e kam vërejt që pa karate s’po mundem, vazhdova t’i shikoja të tjerët duke ushtruar, pastaj kam marrë ftesë për kampionatin botëror edhe pse i kam pas gjashtë muaj pauzë”, është shprehur Hyseni.
Hyseni tregon që për fillimet e saj në karate, një shtysë e madhe ka qenë nëna e saj e cila e ka inkurajuar shumë që të fillojë karatenë.