Site icon Telegrafi

Kampion i Antikorrupsionit – Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson Altin Dumanin e SPAK-ut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur Altin Dumanin, drejtuesin e SPAK, si një nga kampionët globalë të antikorrupsionit.

Çmimi u nda nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë ceremonisë kushtuar Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Në fjalën e tij, Blinken vlerësoi punën e Dumanit dhe agjencisë që ai drejton, duke theksuar rolin e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

“Altin Dumani, nga Shqipëria, drejton një agjenci të re (SPAK). Ai ka goditur politikanë të lartë dhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë një punë të jashtëzakonshme. SPAK është një nga institucionet më të besueshme në Shqipëri,” tha Blinken.

Sekretari i Shtetit theksoi rëndësinë e vazhdimit të politikës së sanksioneve ndaj individëve të përfshirë në korrupsion, duke përmendur sistemin “non grata” si një instrument efektiv për të sfiduar ata që cenojnë drejtësinë.

“Ne kemi vendosur sistemin non grata për individët problematikë, ata që janë përfshirë në korrupsion. Kjo politikë ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme dhe ka ndryshuar perceptimin për drejtësinë,” shtoi Blinken.

Që nga viti 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar 43 individë në mbarë botën për përpjekjet e tyre në mbështetje të demokracisë dhe llogaridhënies./Telegrafi/

Exit mobile version