Site icon Telegrafi

Kallas: Dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur, po shqyrtojmë mjete të tjera për normalizim

Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

Kështu ka thënë shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, tha Kallas, e cila pritet ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.

Kallas foli, po ashtu, për ndikimin e mundshëm të luftës tregtare mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për mundësinë e një armëpushimi në Ukrainë, duke theksuar nevojën për përfshirjen e Evropës në çdo negociatë për këtë çështje.

“Deri tani, njerëzit tanë të tregtisë po bashkëveprojnë me amerikanët, kështu që nuk e dinë saktësisht se çfarë po vjen. Ka deklarata që i shohim, por cilat janë veprimet reale? Nëse vjen një veprim i tillë, edhe ne kemi një plan të gatshëm, por ajo që dua të theksoj është se nuk ka fitues në luftërat tregtare.

Në fund, çmimet rriten dhe konsumatorët paguajnë më shumë për këto produkte, dhe ky nuk është veprim i mençur. Prandaj, ende shpresoj që nuk do të fillojmë këtë luftë tregtare.

Intervistën e plotë të Kaja Kallas mund ta lexoni këtu.

 

Exit mobile version