Site icon Telegrafi

Kaja Kallas reagon pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Rusia: Nuk do të mund të më heshtin

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas ka reaguar pas vendimit të Rusisë për një urdhër-arrest ndaj saj, e cila lidhet me shkatërrimin e monumenteve të periudhës sovjetike.

Duke marrë parasysh se kjo është hera e parë që Rusia lëshon urdhër-arrest për liderin e një vendi tjetër, ky akt shkaktoi tension të madh, por Kallas deklaroi se nuk ishte aspak befasues vendimi i Moskës.

“Aktivitetet e Rusisë nuk janë befasi. Është taktika e tyre e zakonshme e frikësimit. Federata Ruse mendon se një urdhër arresti fiktiv do të ndihmojë në heshtjen e Estonisë. Unë nuk do të hesht dhe do të vazhdoj të mbështes fuqishëm Ukrainën dhe të përpiqem të forcojë mbrojtjen e Evropës”, tha kryeministrja estoneze.

Kallas tha gjithashtu se Rusia ka përdorur historikisht autoritetet gjyqësore për të justifikuar persekutimet e saj.

“KBG ka lëshuar një urdhër arresti për familjen time edhe në të kaluarën”, tregoi ajo.

Lexo po ashtu Rusia lëshon një urdhër arresti për kryeministren e Estonisë - Kremlini thotë se është "vetëm fillimi"

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Kallas dhe zyrtarë të tjerë baltik kërkohen për veprime armiqësore kundër Rusisë dhe “zhdukje të kujtesës historike”.

“Këta janë njerëz që ndërmarrin veprime armiqësore kundër kujtesës historike dhe vendit tonë”, tha Peskov.

Ndryshe, në listën e të kërkuarve është vendosur edhe Sekretari i Shtetit estonez, Taimar Peterkop. /Telegrafi/

Exit mobile version